Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashki me Zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.
Për mes një njoftimi Qeveria e Kosovës bëri me dije se temë qendrore e bisedës ishte situata e sigurisë në Republikën e Kosovës.
“Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit të organizuar e mbështetur nga Beogradi zyrtar nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë Afrim Bunjaku, veprimet destabilizuese të Serbisë vijuan dhe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Kryeministri Kurti theksoi që dëshmitë e mbledhura përgjatë hetimeve të realizuara pas sulmit kriminal dhe terrorist, faktojnë e dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, për të cilin Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht,” thuhet më tej në njoftim.