Sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps ka zbuluar ditën e sotme se një batalion me rreth 200 ushtarë do të dërgohen në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
Shapps u shpreh se dërgimi i trupave paqeruajtëse ishte kërkesë e nga Komandanti Suprem i NATO-s.
“Ka pasur një kërkesë nga Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s në Evropë, kështu që unë kam autorizuar vendosjen e një force rezervë strategjike të Mbretërisë së Bashkuar me madhësi batalioni në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë,” u tha Shapps.
Ai tha se batalioni prej rreth 200 ushtarëve do t’i bashkohet 400 ushtarëve burra e gra britanikë që tashmë ndodhen në Kosovë.
“Në ditët në vijim, qindra ushtarë nga Batalioni i Parë Regjimenti Mbretëror Princesha e Uellsit do t’i bashkohen 400 ushtarëvë burra e gra britanike që tashmë janë në Kosovë. E di që ushtarët tanë do ta bëjnë Mbretërinë e Bashkuar krenare”, shtoi ai.
Sekretari britanik i Mbrojtjes ka vlerësuar se ushtarët do të ndihmojnë të qetësohen raportet e tensionuara duke ofruar siguri për të gjithë.