Tabloidi gjerman “Bild” i ka shkruar një artikull në lidhje me situatën në veri të Kosovës pas sulmit ku u vra efektivi, Afrim Bunjaku.
Bild shtroi pyetje nëse ka kërcënim për një luftë të re si dhe nëse ka dorë presidenti rus në këtë.
Një gjeneral në pension dhe ish-komandant i KFOR-it, Erhard Buhler u shpreh në lidhje me situatën të cilën e konsideron shqetësuese dhe se duhet të marrë fund.
“Rusia dhe Serbia, Putini dhe Vuçiç mbështeten në konfliktet e ngrira etnike në Ballkan, të cilat mund t’i rindezin në çdo kohë. Putin është padyshim një pjesë aktive e këtij konflikti,” u shpreh Buhler.
Më tej ai shtoi se dialogu politik duhet të vazhdojë, por se ushtria serbe nuk duhet të trajtohet si aleate e NATO-s.
“BE dhe NATO duhet të vendosin sanksione ndaj Beogradit. NATO e trajton ushtrinë serbe si partnere dhe e fton në stërvitje. Politikisht duhet të vazhdojmë të flasim, por partneriteti ushtarak tani duhet të ngrihet”, tha ai.