Raportuesit për Kosovën e Serbinë në Parlamentin Europian, eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon dhe eurodeputeti sllovak, Vladimir Belçik në një intervistë për “The Guardian” kanë folur në lidhje me situatën në veri pas sulmit të 24 shtatorit.
Von Cramon tha se kanë qenë dëshmitarë të përkeqësimit dhe përfundimisht ngërçit në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo shtoi se duhet të dihet kush qëndron prapa këtij sulmi.
Eurodeputetja shtoi se duhej të kishte një rishikim të qasjes së Brukselit.
“BE-ja tani duhet të rivlerësojë strategjinë e saj të përgjithshme ndaj bisedimeve Serbi-Kosovë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
Qasja aktuale, e cila fokusohet në stabilitetin ekonomik dhe politik çoi në sulmin në Banjska. Në vend të kësaj, ne duhet t’i japim përparësi bazave – sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të angazhohemi më shumë me zërat përparimtarë nga i gjithë rajoni”, tha ajo.
Belçik tha se duhet të shikohet me kujdes situatën si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë.
“Fatkeqësisht me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet [në Kosovë] negociatat me të vërtetë kanë ngecur dhe nuk kanë lëvizur në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje – dhe këtë po e them si dikush që është shumë i hapur në kritika ndaj palës serbe,”
Sulmin eurodeputeti e cilësoi absolutisht të neveritshme dhe të papranueshme. Ai shtoi se situata është jashtëzakonisht e rrezikshme që tregon se gjërat vërtet mund të dalin jashtë kontrollit.