Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e zhbllokimit të miliarda eurove për Hungarinë, që ishin ngrirë për shkak të shqetësimeve për funksionimin e shtetit ligjor, ndërsa synon të marrë mbështetjen e Budapestit për ndihmën për Ukrainën, përfshirë një fillim të bisedimeve për anëtarësimin për Kievin, thanë zyrtarë të lartë evropianë.
Krahasuar me të gjitha vendet e tjera të BE-së, Hungaria ka marrëdhënien më të afërt me Rusinë dhe mendohet se do të jetë kundërshtarja kryesore ndaj një vendimi që pritet të merret në dhjetor për hapjen e mundshme të bisedimeve për anëtarësimin me Kievin, që do të kërkonte mbështetjen unanime të 27 vendeve anëtare.
Pritet të vendoset gjithashtu edhe për kërkesën e Komisionit Evropian që vendet anëtare të rrisin kontributin për buxhetin e përbashkët, për të shtuar ndihmën për Ukrainën. Edhe për këtë vendim që pritet të merret këtë vit, do të duhet miratim unanim.
Një zyrtar i lartë i BE-së i tha agjencisë së lajmeve Reuters se që të fitojë votën e Hungarisë, BE-ja pritet të shqyrtojë statusin e miliarda eurove që u ngrinë për shkak të shqetësimeve se Kryeministri Viktor Orban ka kufizuar pavarësinë e gjykatave.
“Nuk mund ta imagjinoj Hungarinë të bjerë dakort pa i dhënë një zgjidhje fillimisht fondeve të bllokuara,” tha zyrtari.
Një zyrtar i dytë i BE-së konfirmoi se ekziston një lidhje mes zhbllokimit të fondeve për Hungarinë dhe planeve të BE-së që kërkojnë miratim unanim, përfshirë për zgjerimin dhe për bisedimet për buxhetin.
Zyrtarët theksojnë megjithatë se marrëveshja nuk mund të konsiderohet e lehtë pasi shumë varet nga zoti Orban, i cili po përballet me stanjacionin ekonomik dhe rritje të defiçitit buxhetor të Hungarisë./VOA
Artikulli i plotë këtu.