Rezoluta për Kosovën përfshiu sot në debat në kuvend Lulzim Bashën, Gazment Bardhin dhe Bledi Çuçin. Kryetari i PD-së zyrtare, Basha kërkoi që rezoluta të diskutohet sot dhe të mos shtyhet në datë 12 Tetor.
“Ministrja për parlamentin tha se kemi pasur një dakordësi që seanca për Kosovën të grupohet në datë 12, të gjitha kërkesat. Por kjo dakordësi, është pa PD-në, por me ata që ju vendosni se përfaqësojnë PD-në dhe jo ata që ka vendosur ligji, por duke i qëndruar frymës që dha ministrja për parlamentin, që tha se nuk ka hije asgjë tjetër veç qëndrimit të përbashkët. Apo atyre këtej. Kjo seanca duhej të bëhej sa më parë. Të kalohet sot, pa vonesë rezoluta për Kosovën” tha ai.
Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se data është vendosur dhe do të jetë në 12 Tetor, por shprehu kundërshtinë me rezolutën që ka paraqitur PS që kërkon që hetimin për sulmin në veri të Kosovës ta bëjë Serbia. Ai kërkoi që hetimi të bëhet nga Kosova dhe ndërkombëtarët. Por kryetari i grupit të PS-së, Çuçi tha se socialistët tha se Kosova duhet të hetojë, por edhe Serbia. Theksoi se duhet edhe presioni ndërkombëtar.
“Më vjen keq që për një çështje kaq të rëndësishme ku ndodhet Kosova. Më shumë se ka bërë shumica jonë për Kosovën nuk ka bërë asnjë qeveri për Kosovën, prapë biem pre e politikës së vjetër, retorikë boshe për hesape të brendshme, brenda opozitës dhe Shqipërisë.
Më vjen keq që kolegu im zoti Bardhi, kërkon ta kthejë në retorikë si mos pajtim mes shumicës dhe opozitës. Ne kemi thënë se duhet të ketë hetim Kosova patjetër, edhe Serbia, por edhe presioni ndërkombëtar duhet të rritet. Unë propozoj që të mos ta zgjasim më këtë debat” tha ai.