Grupi i armatosur, Hezbollah, mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe artileri në fermat Sheba, të pushtuara nga Izraeli, duke thënë se është “në solidaritet” me popullin palestinez.
Izraeli, i cili u godit më 7 tetor nga një sulm i papritur prej Hamasit, u përgjigj me zjarr artilerie në Libanin jugor.
Kur u formua Hezbollahu?
I themeluar në vitin 1982 nga Garda Revolucionare e Iranit dhe i klasifikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore si organizatë terroriste, Hezbollahu është grupi më i fuqishëm në Liban, për shkak të një milicie të armatosur rëndë, që luftoi disa luftëra me Izraelin.
Hezbollahu është lëvizje politike dhe ushtri guerile, e cila mbështetet nga popullata shiite e Libanit.
Arsenali i tij është shkak i mosmarrëveshjeve të shpeshta në këtë vend. Grupi thotë se armët i nevojiten për ta penguar Izraelin. Por, kundërshtarët e tij thonë se ai e minon shtetin, duke marrë vendime për luftën dhe paqen, që e prekin të gjithë kombin.
Roli në Liban
Grupi ka ministra në qeveri dhe ligjvënës në parlament. Ai i ka treguar muskujt edhe në rrugë.
Në vitin 2008, një luftë për pushtet me kundërshtarët libanezë të mbështetur nga Perëndimi dhe Arabia Saudite, është shndërruar në konflikt të shkurtër.
Luftëtarët e Hezbollahut kanë pushtuar disa pjesë të Bejrutit, pasi qeveria është zotuar se do të ndërmarrë veprime kundër rrjetit të komunikimit ushtarak të grupit.
Në vitin 2016, politikani i krishterë aleat i Hezbollahut, Michel Aoun, është bërë president. Dy vjet më vonë, Hezbollahu dhe aleatët e tij kanë fituar shumicën parlamentare. Kjo shumicë ka humbur në vitin 2022, por grupi ka vazhduar të ushtrojë ndikim të madh./REL
Artikulli i plotë këtu.