Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka folur në Parlamentin e Këshillit të Evropës ku është diskutuar për situatën pas sulmit terrorist në Banjskë.
Bogujevci ka treguar para Asamblesë shenjat në duart e saj, duke thënë se ende nuk ka drejtësi për këtë krim që nga koha e luftës në Kosovë.
“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atëbotë ishte udhëhequr nga njerëzit që ende udhëheqin Serbinë tash dhe ishin pjesë e atij regjimi. Si 13-vjeçare unë mbeta e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba. Sot kam ende këto shenja në dorë, e pjesët e tjera të trupit tim,” tha ajo.
Nënkryetarja ka thënë se 25 vjet pas masakrës në familjen e saj Kosova ende vazhdon të sulmohet.
“E të shoh 25 vjet pas, që vazhdimisht sulmohemi verbalisht dhe në mënyra tjera, së fundi edhe me sulm terrorist, është e papranueshme. Mjaft është mjaft. Kurrë nuk ka pasur kërkim falje, nuk ka pasur asgjë të ndërmarrë për të sjellë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tash. Njerëzit që kryen sulm terrorist më 24 shtator janë në Serbi, e nuk po gjykohen,” ka theksuar ajo.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka mbajtur seancën për të diskutuar mbi zhvillimet në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë./Reporteri