Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të mërkurën se Izraeli “nuk po sillet si një shtet por si një organizatë”, pasi ushtria izraelite po i vazhdon bombardimet pareshtur në Rripin e Gazës qëkur u sulmua nga Hamasi në fundjavë.
“Izraeli nuk duhet të harrojë se, nëse sillet si një organizatë dhe jo si një shtet, do të përfundojnë duke u trajtuar si e tillë”, tha Erdogan, duke i cilësuar si “metoda të turpshme” sulmet e ushtrisë izraelite në Gazën e mbipopulluar.
Të hënën, Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke thënë se nuk do të lejonte futjen e ushqimit dhe karburanteve.
Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha se 1.055 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 5.100 të tjerë janë plagosur nga bombardimet hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës.
Gati 60% e të plagosurve në Gaza janë gra dhe fëmijë, sipas saj.
Erdogani theksoi se “bombardimi i zonave civile, vrasja e civilëve, bllokimi i ndihmave humanitare dhe përpjekja për t’i paraqitur këto si arritje, janë veprime të një organizate dhe kjo të një shteti”./REL