Seanca e sotme plenare e parlamentit të Shqipërisë është dedikuar për Kosovën dhe rezolutën konsensuale që pritet që të miratohet në fund. Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku e nisi seancën duke pyetur kryeministrin Edi Rama për qëndrimin që ka mbajtur për tensionet në veri, por edhe intervistën ku shprehej se veriu është “toka e askujt”. Gjithashtu i kërkoi shpjegime edhe për kërkesat për konferencë paqeje dhe që KFOR-i të marrë në dorë kontrollin e veriut.
Duke u ndalur te rezoluta konsensuale mes grupi të Berishës dhe shumicës, Çollaku që është në krahun e PD-së zyrtare të Lulzim Bashës ishte mjaft kritik. “Sot kemi një tekst, një rezolutë me tre fjali për Kosovën. A jeni në vete, por ky është detyrim kushtetues, si mundet të mos mbështetësh Kosovën, kjo është arritje e madhe? Po kaq është zëri i Shqipërisë për Kosovën, që në rezolutën e saj ka gjëra që i thotë dhe nuk mund ti thotë. Parlamenti i Shqipërisë duhet të buçasë për Kosovën. Si mund të fshihet Shqipëria të fshihet pas rezolutës së Kosovës” tha ai.