52% e të rinjve janë të alarmuar për ndryshimet klimatike në Shqipëri, ndërsa 46% e fëmijëve të anketuar kanë njohuri të kufizuara për ndryshimet klimatike. Gjetjet vijnë nga një studim i organizatës World Vision Albania me 332 fëmijë, adoleshentë dhe të rinj nga gjashtë rajone të vendit Shkodër, Dibër, Kurbin, Durrës, Tiranë, Korçë. Studimi titullohet: “Kriza Klimatike: Perceptimet e Fëmijëve dhe të Rinjve mbi Ndryshimet Klimatike dhe Transformimin Mjedisor në Shqipëri”.
Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike ka paralajmëruar se rritja e temperaturës mbi 1.5°C deri në 2040 do të sjellë pasoja të mëdha sociale dhe mjedisore. Mosnjohja e duhur e kësaj çështjeje është problem i rëndësishëm.
Nga ana tjetër, mendimi i fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri për ndryshimet klimatike ka vlerë për t’u dëgjuar. Ndaj është e rëndësishme që të marrim hapa dhe veprime konkrete, duke përfshirë edhe fëmijët e të rinjtë për të parandaluar efektet negative.