Kombëtarja shqiptare zhvilloi mbrëmjen e sotme ndeshjen e dytë miqësore të muajit qershor, duke u përballur me Luksemburgun në stadiumin “Air Albania”. Pavarësisht përpjekjeve dhe disa rasteve të krijuara gjatë takimit, kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin minimal 0-1.
Trajneri Rolando Maran e nisi sfidën me këtë formacion titullar: Alen Sherri (GK), Elseid Hysaj (C), Berat Gjimshiti, Bujar Pllana, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Arbër Hoxha, Nedim Bajrami dhe Myrto Uzuni.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe Shqipëria iu afrua golit që në minutën e 4-t, kur Qazim Laçi provoi me një goditje nga distanca, por topi përfundoi ngjitur me shtyllën.
Pak minuta më vonë, në minutën e 8-të, Luksemburgu kaloi në avantazh. Dardari depërtoi nga krahu i majtë dhe shërbeu për Sinanin, i cili finalizoi me saktësi për golin që vendosi fatin e takimit.
Kuqezinjtë reaguan duke marrë kontrollin e lojës për pjesën më të madhe të fraksionit të parë. Në minutën e 19-të Kristjan Asllani provoi me një goditje të fortë nga jashtë zone, ndërsa në disa raste të tjera Shqipëria kërkoi të krijonte hapësira përmes Laçit, Bajramit dhe Hoxhës, por pa arritur të finalizonte.
Në pjesën e dytë stafi teknik aktivizoi disa lojtarë të tjerë, ndërsa Kombëtarja vazhdoi të kërkonte golin e barazimit. Në minutën e 57-të Asllani tentoi të surprizonte portierin kundërshtar me një goditje nga gjysmëfusha, ndërsa në minutat 71 dhe 72 kuqezinjtë krijuan dy raste të mira me Taulant Seferin, fillimisht pas një goditjeje këndi dhe më pas me një goditje me kokë pas një harkimi nga krahu i djathtë. Gjithashtu më vonë kuqezinjtë provuan edhe me Pajazitin, por pa sukses.
Pavarësisht insistimit në minutat e fundit, rezultati mbeti i pandryshuar dhe sfida u mbyll me fitoren minimale të Luksemburgut.









