-sidi education-spot_img
26.3 C
Tirana
-sidi education-spot_img

LIVE-Rama: Protestat po rrezikojnë sezonin turistik

Kryesoret

Kryeministri Edi Rama në Podcastin e së dielës deklaroi qartë dhe prerë se projekti i Zvërnecit do të vazhdojë pavarësisht protestave. Sulmoi protestuesit brenda vendit, ndërsa të huajt i cilësoi si anti-Trumpistë dhe për arsye të tjera që sipas tij i janë bashkuar rrymës.

*********************************

Shqipëria zgjidhet me votë unanime në krye të Forest Europe, Europa e pyjeve, për mandatin 2026-2030

Këtë javë Shqipëria u zgjodh me votë unanime në krye të Forest Europe, Europa e pyjeve, për mandatin 2026-2030, duke marrë stafetën nga Suedia.

Bëhet fjalë për platformën më të rëndësishme paneuropiane, ku janë bashkë Bashkimi Europian dhe 45 vende europiane, që adreson pikërisht fushën e pyjeve dhe të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke iu referuar pikërisht pyjeve.

Ky është një vendim që ka një domethënie dhe domethënia, ma ha mendja, është e kuptueshme për të gjithë nëse i bëjmë pyetjen vetes: a mundet vallë të mendohet se Shqipëria mund të zgjidhej në krye të kësaj organizate kaq të rëndësishme 10 vjet më parë? 10 vjet më parë, kur në zonat tona të mbrojtura kërciste gjuetia e paligjshme dhe flamingot, jo vetëm që vriteshin, por edhe haheshin.

10 vjet më parë, kur pyjet priteshin dhe kamionët me dru pyjesh venin e vinin vargan-vargan lart e poshtë, nga veriu në jug?

10 vjet më parë, kur as nuk bëhej fjalë për zona të mbrojtura, se edhe zonat e mbrojtura që ishin, ishin tokë pa zot, ndërkohë që shumëçka që duhej vënë në mbrojtje vetëm bëhej pre e babëzisë.

Sa hidrocentrale do të ishin ndërtuar në Vjosë nëse 10 vjet më parë ne nuk do t’i kishim thënë stop gjithë marrëzisë së Shqipërisë mini-superfuqi energjetike e rajonit?

Çfarë do të kishte ndodhur sikur në këto 10 vjet, ne të mos e kishim zgjeruar hartën e zonave të mbrojtura në 25% të territorit të Shqipërisë etj.?

Pra, fakti që nuk e imagjinojmë dot se Shqipëria do të ishte zgjedhur në krye të këtij forumi dhe do të merrte stafetën nga Suedia, dhe mbi të gjitha që Shqipërinë do ta mbështesnin fuqishëm dy vende, të cilat kanë një reputacion absolut për sa i përket mënyrës se si mbrojnë dhe administrojnë pyjet, Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pra, fakti që, besoj, nuk e imagjinojmë dot të gjithë së bashku, pavarësisht dallimeve që mund të kemi në të gjitha aspektet e tjera, që nuk imagjinojmë dot se Shqipëria do të merrte kryesimin e Forest Europe 10 vjet më parë, por e merr sot duke marrë stafetën nga Suedia me bekimin e të gjitha vendeve, me një mbështetje shumë të zëshme në procesin e shqyrtimit të kandidaturave nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar, duhet të na thotë diçka edhe për të sotmen, duhet të na thotë diçka edhe për mënyrën se si në të sotmen qeverisin dhe udhëheqin ata të cilët e kanë bërë këtë transformim.

Dhe dua t’ju them, që Shqipëria njëkohësisht ka marrë edhe një lajm tjetër jashtëzakonisht, jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të bukur në këtë atmosferë kaq të ndezur me ngjyrën e flamingove, një lajm që duhet t’i gëzojë të gjithë.

Fakti që këtë javë Shqipëria ka marrë edhe një tjetër lajm të mirë, përfshirjen e liqenit të Shkodrës në biosferën e UNESCO-s.

Një tjetër shembull domethënës që në Shqipëri nuk qeverisin forca, apo nuk qeveris një forcë që shkatërron; qeveris një forcë që ndërton. Nuk qeveris një forcë që abuzon me mjedisin dhe me trashëgiminë natyrore apo kulturore, por qeveris një forcë që, në të kundërt, kërkon që t’i harmonizojë të dyja bashkë, sepse të mendosh që zgjidhja është ose të konservosh, ose të ndërtosh, do të thotë të mos kesh kuptuar asgjë nga të gjitha zhvillimet e dekadave të fundit dhe, mbi të gjitha, të mos kesh kuptuar asgjë nga domosdoshmëria që njerëzit të rrisin mirëqenien e tyre, duke vënë në funksion të rritjes së mirëqenies edhe burimet natyrore.

Por, nga ana tjetër, që burimet natyrore të mund të jenë aty për njerëzit, duhet të jenë nën kujdesin, nën përkujdesjen, nën sytë e njerëzve për t’i ruajtur, për t’i mirëmbajtur, për t’i ushqyer dhe për t’i bërë ende më të vlefshme, qoftë në atë çka ato paraqesin, qoftë në atë për çka ato shërbejnë.

Takimi me banorët e Zvërnecit

Këtë javë shkova dhe takova banorët e zonës së Zvërnecit, në një takim që, për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, është i postuar në faqen time. Vlen shumë më tepër se çdo ulërimë, çdo zhurmë, çdo kuje, çdo shqetësim, manipulim, falsifikim apo spekulim nga çorba e ditëve të fundit.

Aty takova njerëz që u fyen, u masakruan nga flamingot online si njerëz të mbledhur me zor, si njerëz të mbledhur kokërr më kokërr, si njerëz që nuk përfaqësonin komunitetin etj., ndërkohë që ata janë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Ajo zonë nuk është një zonë e mbipopulluar. Ajo është një zonë ku ata njerëz që kanë interesa aty, që punojnë aty, që i pretendojnë pronat e tyre aty, madje aty ku do të zhvillohet projekti, që mbajnë familjet e tyre nga aktivitetet e vogla aty, nga shërbimet dhe nga puna e përditshme aty, janë ata.

Nuk vajta të takoj njerëz të mbledhur nga Narta poshtë apo nga Vlora lart. Vajta të takoj ata që janë aty, pikërisht ata që e kanë interesin e drejtpërdrejtë, qoftë për të drejtën e pronës, qoftë për të drejtën që të dëgjohen, qoftë për të drejtën që të jenë pjesëmarrës në këtë proces, qoftë edhe për të drejtën që të zhvillohen. Okay?

Dhe ajo që dëgjova prej tyre natyrisht nuk ishte një surprizë për mua. Ishte krejt ndryshe nga ajo që dëgjohet çdo ditë. Ishte një bisedë për shqetësimet konkrete, për problematikat konkrete, për mënyrën se si adresohet një pretendim, një pronë e kthyer dhe e regjistruar, por që, në rast se kthimi dhe regjistrimi janë bërë në mënyrë të parregullt, ka gjykatë, ka një proces dhe në fund gjithçka ishte pozitive mes njerëzish që diskutojnë si njerëz, mes njerëzish që nuk i qepen njëri-tjetrit me gurë në trastë. Okay?

Dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se, pavarësisht pyetjeve, shqetësimeve, kërkesave që kishin, në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Madje, përkundrazi, ndjeva shqetësim edhe më pas kur dolëm; ndjeva shqetësim që: “Aman, mos ndalet, aman, mos ta humbasim këtë gjë”.

Dhe, ndërkohë, kam edhe diçka tjetër për të shtuar lidhur me atë që po ndodh. Kini parasysh një gjë: gjithë kjo lukuni e madhe videosh dhe gjithë këta gazetarë, gjithë këta lloj-lloj ndërkombëtarësh në media që papritur u bënë të interesuar për Shqipërinë, për mjedisin, për zogjtë e Shqipërisë, nuk e kanë fare me mjedisin dhe me zogjtë e Shqipërisë. E kanë secili për agjendën e vet në vendet ku janë.

Disa e kanë me Izraelin, që u fut kot fare në këtë mes. Ndërkohë që investitorët kryesorë janë dy vëllezër myslimanë të famshëm në Lindjen e Mesme për sukseset dhe investimet e tyre dhe që vijnë nga Katari, një vend që s’ka as marrëdhënie me Izraelin. Disa të tjerë e kanë kundër atij në Amerikë, presidentit të Amerikës, të cilin gjysma e duan, gjysma e urrejnë dhe ndaj të cilit mediat dhe të gjitha sistemet online turren për çdo gjë.

Disa të tjerë e kanë sepse nuk duan që Shqipëria ta ketë këtë projekt. Janë konkurrentë, normal! Të vijnë 4 miliardë në Shqipëri dhe, me këto emra, Shqipëria bëhet një pikë referimi si asnjëherë më parë dhe si asnjëherë më pas, në rast se ne e humbim këtë mundësi.

Po, ndërkohë, mos harroni që ka një mundësi shumë të madhe që gjithë këto rrëmuja që dalin nëpër media, nëpër rrjete online, ndryshe nga çfarë është realiteti këtu, që ka një turmë në bulevard, një turmë shumë biodiverse, që nga të marrët që fusin rrethin katror dhe pastaj e quajnë rrethin katror, te lloj-lloj personazhesh që kërkojnë “like” dhe që jetojnë me “like”. Influencera që fitojnë paratë e dynjasë përmes rrjeteve sociale dhe s’paguajnë një kokërr leku, një kokërr leku taksë.

Të tjerë që janë delirantë, me flamurin të lidhur këtu në fyt dhe që e vënë qeleshen si një certifikatë pastërtie patriotike; të tjerë që janë realisht të shqetësuar, vajza dhe djem që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre etj. Është një turmë normale, s’ka asnjë problem.

Por kjo që turma normale kthehet në qindra mijëra njerëz që po vlojnë në Shqipëri do të dëmtojë turizmin, çuna, goca. Kanë filluar disa shenja shqetësuese të çregjistrimeve në Sarandë, disa shenja shqetësuese, pak, por para se të bëhet trend që të fillojnë ata që kanë prenotuar për të ardhur, pra për të sjellë ato para që do të shkojnë te bizneset e vogla, që do të shkojnë te familjet që mezi e presin këtë sezon, atëherë do të humbasim shumë turistë këtë vit.

Mbase këtë doni. Unë nuk besoj që këtë doni, por mbase ky është edhe qëllimi, që të jetojmë vetëm me flamingot, të cilët 99.99% e atyre që i mbrojnë s’i kam parë ndonjëherë me sy. Nuk e di. Shikojeni këtë punë.

Në ndërkohë që projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe është një kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë europiane.

Edicioni i dytë i Bread and Heart Festival

3 – Një tjetër aktivitet i kësaj jave, i cili nuk e bën dot dhe s’ka pse ta bëjë zhurmën e lajmeve të këqija dhe të gënjeshtrave të amplifikuara, ishte edicioni i dytë i Bread and Heart Festival, Festivali i Bukës dhe i Zemrës, festivali ndërkombëtar që sjell në Tiranë një numër mbresëlënës arkitektësh dhe profesionistësh të zhvillimit urban, duke mbledhur praktikisht rreth një sofre personalitete të jashtëzakonshme, fitues të Nobelit të arkitekturës, Pritzker Prize, të cilët vijnë nga të gjithë kontinentet, nga Europa, Azia, Amerika Veriore dhe Amerika Latine, dhe të cilët ishin mbi 600 këtu, pastaj edhe së bashku me partnerët e tyre lokalë, me vajza e djem që merren me arkitekturë, merren me zhvillim urban dhe që faktikisht jetojnë ditë vërtet të paharrueshme të karrierës së tyre, sepse bashkëpunojnë me mjeshtrit më të mëdhenj në një shkollë të hapur arkitekture dhe planifikimi urban, siç është bërë sot Shqipëria.

Tirana u kthye në një hapësirë shkëmbimi idesh dhe përvojash mes këtyre personaliteteve, të cilët kanë parë shumë, të cilët udhëtojnë shumë, të cilët bëjnë projekte kudo, kudo, kudo, të cilët janë kudo të ftuar dhe të mirëpritur, por të cilët janë absolutisht mirënjohës për këtë mundësi që u jep festivali për të qenë së bashku dhe për të ndërvepruar së bashku, gjë që nuk e bëjnë në pjesën tjetër të rrugëtimit të tyre.

Mes tyre ishte edhe Dong Yugan, pasardhësi i arkitektit legjendar Kongjian Yu aktualisht drejtues i studios prestigjioze Turenscape, një prej emrave më të vlerësuar në botë në fushën e arkitekturës së peizazhit. Dong Yugan është faktikisht udhëheqësi i konsulencës për peizazhin e mbrojtur të Zvërnecit brenda grupit të madh të punës me projektin, të cilin flamingot e veshur me flamur dhe që flasin, e rëndom nuk dinë çfarë flasin në bulevard, kërkojnë që të anulohet.

Projekti është duke u zhvilluar, është duke u punuar, është duke u materializuar hap pas hapi nën sytë dhe falë mendjes së disa prej arkitektëve më të mëdhenj të botës.

Dhe Dong Yugan është pjesë e atij grupi, së bashku me inxhinierë mjedisorë nga më të mirët në botë, së bashku me ekonomistë, së bashku me studiues, të cilët do të merren me impaktin ekonomik dhe social, me impaktin ambiental, e kështu me radhë.

E kam thënë dhe po e përsëris se këtu, në këtë çorbë që zihet me zhurma të mëdha, është e vështirë që të kalojë fjala e thënë me decibelë normalë, por e kam thënë dhe e përsëris. Ai grup ka ardhur në Vlorë atëherë kur u fol vetëm për ardhjen e Ivanka Trump-it, por ishte një vizitë dyditore me atë grup të madh dhe janë bërë diskutime, ëorkshop-e, dhe një ëorkshop i veçantë ka qenë që i gjithë grupi është ulur dhe ka dëgjuar disa profesorë me reputacion të lartë në Shqipëri, profesorë të historisë, profesorë të gjeografisë, profesorë të etnologjisë e kështu me radhë.

Kështu që është e pakonceptueshme, duhet të jesh komplet i papërqendruar që të besosh se ata njerëz që janë bashkuar bashkë, ata bashkëinvestitorë që mund të shkojnë kudo në botë dhe që kanë bërë plot gjëra nëpër botë, të krijojnë këtë ushtri të madhe njerëzish ëndërrimtarë dhe ambiciozë për të ardhur dhe për të vrarë flamingot. Duhet të jesh komplet i papërqendruar që ta hash këtë lloj flamingoje. Kështu mendoj unë.

Gjithsesi, siç thashë, i kemi të qarta punët në demokraci. Disa zgjidhen për të punuar, disa punojnë për t’u zgjedhur, disa të tjerë as punojnë, as zgjidhen, por protestojnë. Disa punojnë, protestojnë; protestojnë, punojnë. Disa të tjerë nuk dinë as vetë se çfarë kërkojnë. Është liri, është demokraci.

Shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë, thoshte legjendari Loro Boriçi.

Vizita në Tivat dhe Samiti BE – Ballkani Perëndimor

Kjo javë ishte e rëndësishme edhe për Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në Tivat.

Në Tivat nuk kisha shkuar asnjëherë. U detyrova të shkoj se s’kisha për të shkuar pa bërë më parë portin turistik të Durrësit. Kështu e kisha ndarë në mendjen time. Një fiksim i palogjikshëm, por nganjëherë, siç tregojnë edhe këto rrëmujat e ditëve të fundit, logjika nuk është ajo që vendos gjithmonë. Vendosin edhe emocionet, vendos edhe, në një farë mënyre, budallallëku i njeriut dhe ishte një lloj budallallëku imi, për hir të së vërtetës, por ishte emocional që nuk doja të shkoja në Tivat, sepse nuk doja të shikoja Porto Montenegro-n.

Nuk doja ta shikoja Porto Montenegro-n, sepse Porto Montenegro është një top që i ka kaluar për shalësh Shqipërisë dhe ka përfunduar në Mal të Zi, dhe historia e Malit të Zi është përcaktuar nga Porto Montenegro si një histori e një vendi turistik që nuk ka bujqësi, nuk ka fabrika, nuk ka prodhime të tjera, por ka një bukuri që e ka vënë në dispozicion të ekonomisë përmes investimeve të ekselencës.

Dhe ai që e ëndërroi dhe që e konceptoi Porto Montenegro-n, më parë se të shkonte atje si një top i shtyrë nga uji përmes shalëve që ishin të hapura thjesht dhe vetëm për të marrë përfitime babëzie duke e përdorur Shqipërinë si pronë, donte ta bënte në Durrës.

Donte ta bënte në Durrës. Kishte bindjen që një port turistik pranë amfiteatrit më të madh që romakët kanë ndërtuar jashtë Romës do të ishte një histori e jashtëzakonshme suksesi, gjë që do ta tregojë natyrisht historia e re, por shumë e vonuar, jo për fajin tim dhe tonin, e projektit të portit turistik të Durrësit.

Dhe u prit me sytë te xhepi dhe iu kërkua “xhixha”, kështu që iku në Mal të Zi, e ndërtoi Porto Montenegro-n dhe Tivati, nga një gji me rreth 10.000 banorë që ishte i vetmi gji që nuk frekuentohej nga turistët, sepse ishte një bazë ushtarake e Jugosllavisë me ujë të ndotur e kështu me radhë, u kthye në motorin më të madh ekonomik të Malit të Zi.

Dhe Mali i Zi, që nga ai moment, pa shumë hajër sepse pasuan investime të tjera. One&Only, hoteli One&Only në Europë, është ndërtuar vetëm në Mal të Zi. Do të ishin në Shqipëri të gjitha këto, sikur ata që mos qofshin, domethënë, të mos i kishin lënë të kalonin kështu këto topa dhe sikur të kishin menduar për Shqipërinë dhe për të gjitha këto tema që flasim sot.

Gjithsesi, në Tivat unë shkova, nuk kisha çfarë bëja. Dhe më vjen shumë mirë të them që samiti ka qenë një samit mbase më interesanti nga pikëpamja e përgjithshme e shtyrjes së disa gjërave dhe e shtyrjes së çështjes së përshpejtimit të zgjerimit.

Ama, një gjë është pak a shumë e sigurt: Shqipëria u vlerësua si një vend që është pranë anëtarësimit. Shqipëria u vlerësua për të gjitha ato që ka bërë dhe si një vend që është pranë.

Ndërkohë që zëri ynë u dëgjua qartësisht përsëri. Unë i ngrita të gjitha ato për të cilat kam kohë që përpiqem edhe brenda atij rrethi, sepse një gjë e kemi arritur. Në atë rreth nuk ka më “kush jam unë e kush je ti”, siç ka qenë dikur.

Të gjithë i dëgjojmë me respekt dhe na dëgjojnë me respekt. Dhe unë kam shumë shpresë që do të kemi lajme shumë të mira shumë shpejt përsëri në atë aspekt dhe jam edhe më i bindur sot seç isha përpara këtij samiti, që ne do ta arrijmë atë që duam të arrijmë. Do ta arrijmë atë që duam të arrijmë.

Dhe takimi me kancelarin Merz ishte provë absolute e faktit që vlerësimi është maksimal, mbështetja është maksimale dhe vetëm puna, puna, puna është ajo që nuk na e bëjnë dot as gjermanët, as italianët, as francezët, por duhet ta bëjmë vetë.

Kështu që të gjithë në punë, secili në punën e vet.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit