Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka rizgjuar debate mes studentëve në universitete në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, ndërsa të rinjtë shprehin mendimet e tyre, po ngrihen çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, të drejtat e lirisë së fjalës dhe madje edhe shqetësimet se si mund të ndikojnë qëndrimet e tyre tek perspektiva e punësimit.
Në Nju Jork, tensionet mbi luftën Izrael-Hamas po ngjallin debate në universitete, duke vënë në pikëpyetje idenë e universiteteve si mjedise për shkëmbimin e lirë të mendimeve të ndryshme.
Në Universitetin e Kolumbias u mbajtën protesta pro Izraelit dhe pro palestinezëve. Disa studentë mendojnë se qëndrimet e drejtuesve të universitetit janë të njëanshme pro Izraelit.
“Sigurisht të gjithë jemi kundër dhunës, por ne thjesht kërkojmë që të respektohet edhe jeta e civilëve palestinezë. Si pjesë e një komuniteti të larmishëm, mendoj se është e drejtë të presim që udhëheqja e universitetit të njohë dhimbjen e të gjithë studentëve,” thotë Nadia Ali, studente në Universitetin e Kolumbias.
Në shumë kampuse është një kohë e trazuar, ndërsa ekspertja për lirinë e fjalës, Kristen Shahverdian thotë se studentët duhet të ndihen të sigurt që të shprehin pikëpamjet e tyre.
“Kampuset e universiteteve mund të bëjnë shumë për të mbrojtur fjalën e lirë të të gjithëve. Ky është me të vërtetë detyra e tyre, të sigurohen që të gjithë të kenë të drejtën e lirisë së shprehjes, të drejtën për të protestuar, të drejtën për të dëgjuar zërat e tyre edhe atëherë kur ka shumë mosmarrëveshje,” thotë Kristen Shahverdian nga organizata joqeveritare me qendër në Nju Jork që mbron fjalën e lirë, Pen America./VOA