Kur filloi lufta e Hamasit kundër Izraelit, më shumë se një javë më parë, hyrja e vetme në Gaza u shkatërrua duke bllokuar kthimin në shtëpitë e tyre të palestinezëve që punojnë në Izrael.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës Heather Murdock njofton nga Ramallahu i Bregut Perëndimor të pushtuar se mijëra burra palestinezë janë bllokuar jashtë Gazës, ndërsa prindërit e tyre, vëllezërit dhe motrat, gratë dhe fëmijët e tyre përpiqen t’u mbijetojnë bombardimeve në Gaza.
Në këtë ndërtesë komunale në Ramallah, një qytet në Bregun Perëndimor të pushtuar, qindra burra i kalojnë ditët të dëshpëruar, ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit po shkakton shumë viktima mes popullsisë civile në Gaza.
Shumë prej tyre thonë se janë të gatshëm të rrezikojnë jetën për të shkuar pranë familjeve të tyre, sesa të dëgjojnë në telefon dhe mesazhe për vuajtjet që po përjetojnë familjet e tyre. Ata thonë se nuk duan të identifikohen në kamera për arsye sigurie. Saleh Hassan thotë se gruaja dhe tre vajzat e tij janë të bllokuara në Gazë.
“Ne ishim njerëz të thjeshtë që jetonim jetët tona. Nuk kemi asnjë lidhje me atë që po ndodh. Thjeshtë, po përpiqemi të ndërtojmë jetët dhe familjet tona. Vajza ime është në vitin e dytë të universitetit dhe po mësonte anglisht. Ajo donte të diplomohej. Por tani ëndrrat tona janë shkatërruar. Gjithçka është shkatërruar.”
Gaza është strehë e dy milionë banorëve dhe i vetmi vendkalim kufitar që ishte i hapur para luftës u shkatërrua në ditën e parë të luftimeve, kur Hamasi kreu një sulm të befasishëm masiv./VOA
Artikulli i plotë këtu.