Izraeli i ka themeluar qindra ekipe vullnetare të sigurisë në dy javët qëkur shpërtheu lufta në Rripin e Gazës dhe po i armatos civilët në rast se do të ketë trazira mes hebrenjve dhe arabëve, thanë autoritetet të dielën.
Në luftën e fundit në Gazë më 2021 kishte protesta pro-palestineze nganjëherë të dhunshme në mesin e qytetarëve arabë të cilët e përbëjnë 21 për qind të popullsisë së Izraelit.
E nxitur nga një sulm shkatërrues më 7 tetor nga militantët e armatosur të Hamasit në jug të Izraelit, lufta e tanishme dhe përshkallëzimi i luftimeve në kufirin libanez dhe në Bregun e uzurpuar Perëndimor kanë rritur shqetësimet për marrëdhëniet e tensionuara etnike të brendshme të Izraelit.
Policia e Izraelit i ka arrestuar dhjetëra qytetarë arabë nën dyshimin për nxitje dhe përkrahje të Hamasit, bazuar në postimet e tyre në rrjetet sociale. Disa avokatë të të arrestuarve i kanë përshkruar arrestimet si të paligjshme.
Shefi i Policisë së Izraelit, Kobi Shabtai, tha se vëzhgimet e tilla ua mundësojnë oficerëve ta parandalojnë çdo shpërthim të dhunës.
“Këtu ka pasur sjellje shembullore,” tha ai para një paneli parlamentar, duke shtuar se “nuk ka pasur pothuajse asnjë incident” mes arabëve dhe izraelitëve në javët e fundit.
“Ka dialog me lidershipin [arab] dhe njëkohësisht, ne jemi të gatshëm për çdo skenar,” shtoi ai.
Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ka parashikuar se gjatë kësaj lufte mund të ketë përsëritje të trazirave të vitit 2021 dhe ka urdhëruar lehtësimin e rregullave për lëshimin e lejeve për armëmbajtje për qytetarët.
Në përgjithësi, rregullat kërkojnë që aplikantët duhet të kenë shërbyer në Ushtrinë e Izraelit, nga e cila janë të përjashtuar shumica e arabëve./REL
Artikulli i plotë këtu.