Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, të mbledhur në Luksemburg diskutuan për luftën mes Izraelit dhe militantëve islamikë të Hamasit.
Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell kërkoi nga diplomatët evropianë të punojnë për një zgjidhje afatgjate të krizës.
Gjatë takimit u ritheksua përkrahja për zgjidhjen e krizës me krijimin e dy shteteve, por Ministrja e Jashtme e Gjermansië, Annalena Barbock fajësoi, siç tha ajo, terrorizmin e vazhdueshëm nga Gaza për vazhdimin e katastrofës humanitare.
Ministrat e jashtëm evropianë ritheksuan përkrahjen e tyre për zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve përmes krijimit të dy shteteve.
Pak para takimit, shefi i BE-së për politikë të jashtme tha se duhet rikthyer vëmendja tek procesi politik.
“Procesi i paqes është harruar për një kohë të gjatë. Fuqitë e mëdha e kanë harruar çështjen palestineze, duke menduar se do të zgjidhej vetëvetiu, apo se ajo nuk kishte rëndësi. Ajo është e rëndësishme. Duhet të vazhdojmë të punojmë për këtë,” tha zoti Borrell.
Zoti Borrell tha se është lajm i mirë që dy ditëve të fundit kanë hyrë dhjetëra kamionë me ndihma për palestinezët përmes kalimit kufitar me Egjiptin.
Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock megjithatë paralajmëroi se, siç tha ajo, vazhdimi i terrorizmit të Hamasit nga Gaza e bën të pamundur dhënien fund të katastrofës humanitare
“Ne nuk mund t’i japim fund katastrofës humanitare nëse terrorizmi në Gazë vazhdon. Nuk do të ketë siguri dhe paqe as për Izraelin dhe as për palestinezët nëse ky terrorizëm vazhdon,” tha zonja Baerbock duke shtuar se janë dy pika më urgjente për krizën në Lindjen e Mesme./VOA