Tashmë është zyrtare. Sali Berisha refuzon thirrjen e gjykatës së Posaçme për t’u paraqitur mesditën e sotme në orën 14:00 për t’u pyetur dhe njohur me dy masat e sigurisë, detyrim paraqitje dhe bllokimin e daljes jashtë vendit në kuadër të hetimeve për dosjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Në momentin që po hynte paradite e sotme në selinë blu, ish-kryeministri u ndal nga mediat për t’u pyetur për vendimin. Deklaroi prerë se nuk do të shkojë. Theksoi se është gati që të shkojë në prokurori apo gjykatë vetëm nëse i heqin më parë imunitetin.
“Për vendime anti-Kushtetuese nuk ndodh. Nuk e bëj për vete. Unë jam njeriu që kam dërguar në parlament ligjin që vendoste barazinë e plotë mes cdo zyrtari dhe qytetari në Kushtetutë. Këtë ligj e ktheu Edi Rama.
Jam gati ta votoj nesër, por derisa është në Kushtetutë nuk mund të pranoj asnjë lloj kompromisi për shkelje. Po konsultohem me juristë të ndërmarr të gjitha hapat në mbrojtje të Kushtetutës. Besoj që mënyra ime, ishte e kthjellët si kristali.
Në cdo kohë jam gati të paraqitem, për t’u pyetur dhe për cdo gjë, por nuk mund të pranoj kurrë, që të shkel Kushtetutën e vendit, ta ndryshojmë. Unë jam autori i ligjit që kjo mbrojtje nuk duhet të ekzistojë. Hajde të ndryshojmë Kushtetutën dhe jo ta menderosim. Marrje me forcë? Sa kureshtje keni ju, unë besoj se me këto që u përgjigjem jam korrekt.
Piramida e trillimit, mashtrimit, falsifikimit do të shembet dhe u garantoj ju, që e bazuar gjithçka në mashtrime, nuk pengoj asnjë proces hetimor dhe gjyqësor. Kjo është formalitet që buron nga Kushtetuta e vendit, por nuk mund ta shkel” tha Berisha.
Gjykata e kyçi në qeli! Dhëndri i Berishës çohet te “313”-ta në Tiranë