Ushtria e Izraelit i ka ashpërsuar bombardimet në jug të Rripit të Gazës të mërkurën, një ditë pas njërës prej ditëve më vdekjeprurëse për palestinezët qëkur nisi konflikti, pavarësisht thirrjeve të liderëve botërorë për ndaljen e luftimeve për ta mundësuar futjen e ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po u prijnë thirrjeve ndërkombëtare për një ndërprerje në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit, në mënyrë që të lejohet dërgimi i ndihmave në Gazë, ku palestinezët po jetojnë në kushte të tmerrshme.
Mbi 700 palestinezë, përfshirë 305 fëmijë, u vranë të martën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare, ky është numri më i lartë i të vrarëve brenda një dite qëkur filluan luftimet tri javë më parë.
Izraeli i nisi bombardimet në Gazë më 7 tetor, pasi militantët e Hamasit i sulmuan qytetet e Izraelit jugor duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, biseduan në telefon të martën dhe u pajtuan për një diplomaci më të gjerë “për ta ruajtur stabilitetin në rajon dhe për ta parandaluar përhapjen e konfliktit”, tha Shtëpia e Bardhë.
Përleshje vdekjeprurës shpërthyen mes Ushtrisë së Izraelit dhe palestinezëve në Bregun e uzurpuar Perëndimor. Po ashtu, luftimet u intensifikuan mes Izraelit dhe grupit të armatosur libanez, Hezbollah, përgjatë kufirit Izrael-Liban.
Irani i mbështet Hamasin dhe Hezbollahun, si dhe e ka paralajmëruar Izraelin ta ndalë luftën e ashpër në Gazë./REL