Ushtria izraelite ka thënë të premten se forcat e saj tokësore do ta “zgjerojnë aktivitetin” në Rripin e Gazës, teksa ushtria përgatitet për pushtim të plotë tokësor në këtë territor të rrethuar.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, ka thënë se sulmet tokësore i kanë në shënjestër tunelet e Hamasit dhe shënjestra tjera.
“Përveç sulmeve që i kemi kryer në ditët e fundit, forcat tokësore janë duke e zgjeruar aktivitetin këtë mbrëmje,” ka thënë ai.
“Ushtria izraelite është duke vepruar me forcë të madhe për t’i arritur synimet e luftës”.
Izreli i ka mbledhur qindra mijëra ushtarë afër kufirit me Gazën, para ofensivës që pritet ta nisë kundër grupit militant palestinez, Hamas.
Pjesërisht apo plotësisht grupi konsiderohet terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe disa vende tjera.
Në deklarimin e së premtes, ushtria izraelite u ka bërë sërish thirrje banorëve të qytetit të Gazës që të shpërngulen në jug, për shkak të zgjerimit të operacionit ushtarak.
Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar për shpërthime të fuqishme në Gazë në mbrëmjen e së premtes.
Sipas kësaj agjencie, pjesa më e madhe e Rripit të Gazës ka mbetur pa internet.
Mbi 1.4 milion njerëz në Gazë kanë ikur prej shtëpive të tyre, dhe gjysma besohet se janë nëpër shatorret e Kombeve të Bashkuara.
Qindra mijëra njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në veri të Gaza, pavarësisht thirrjeve të Izraelit për t’u evakuuar. Banorët në Gazë kanë mbetur pa ushqim, ujë dhe ilaçe./REL
Artikulli i plotë këtu.