Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se FBI-ja ka marrë në pyetje dy orë Edi Ramën për dosjen “McGonigal” në momentin që kreu i qeverisë shqiptare ishte në Nju Jork gjatë punimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Për këtë arsye, Berisha deklaroi se opozita do të vazhdojë që të kërkojë ngritjen e komisionit hetimor për dosjen “McGonigal”.
“Edi Rama e di, që ne nuk i ndahemi, e ka të qartë që ne nuk i ndahemi pa rikthimin e të drejtave tona kushtetuese. Ai ka tmerr nga kontrollet e opozitës. Unë u them ju se, Edi Rama në mënyrë absolute nuk do të mund të pengojë komisionin McGonigal.
Dua ta dini ju se është pyetur nga FBI, dy orë në aeroportin e Nju Jorkut, kurse këtu kërkon që shqiptarët të mos marrin vesh asgjë. Do ti marrin vesh që të gjitha. Do të marrin vesh që të gjithë aktet e pasurimit të tij si mamuth, të paligjshëm.
Do të marrin vesh të gjithë mekanizmat për dhunimin e votës dhe blerjen e saj. Ne qëndrojmë dhe nuk tërhiqemi. Sot ky ishte një moment i betejës tonë, por kjo betejë nuk ka të ndalur” tha ai.