Një shpërthim i papritur, nganjëherë i dhunshëm, i protestave antisemitike në rajonin kryesisht mysliman të Rusisë, Kaukazin Verior, i ka vënë në pah rreziqet e brendshme që vijnë nga përpjekjet e presidentit autoritar, Vladimir Putin, për ta shfrytëzuar politikisht luftën mes Izraelit dhe grupit ekstremist palestinez, Hamas.
Më 29 tetor, një grup prej më shumë se 1.000 njerëzish u futën vrullshëm në aeroportin e kryeqytetit të rajonit të Dagestanit, Makaçkala, duke brohoritur epitete antisemitike dhe duke tentuar të mos i lejonin të futeshin në qytet udhëtarët që kishin mbërritur me aeroplan nga Izraeli.
Më shumë se 200 njerëz u lënduan gjatë kësaj trazire, dhjetëra u arrestuan dhe aeroporti u mbyll.
Autoritetet lokale u bënë thirrje “banorëve të republikës të mos bien pre e provokimeve të grupeve destruktive dhe të mos krijojnë panik në shoqëri”.
Ngjarjet në aeroport ishin më tronditëset në mesin e një sërë incidentesh antisemitike në Kaukazin e dhunshëm Verior në ditët e fundit, shumica e të cilave u nxitën nga thashethemet se refugjatët hebre po mirëpriteshin në këtë rajon.
Më 28 tetor, një turmë e ashpër u mblodh pranë një hoteli në qytetin e Dagestanit, Kasaviurt, pasi kanale të ndryshme në Telegram raportuan se një person “që po i ngjante një qytetari izraelit në pamjen e jashtme” po qëndronte atje. Policia i qetësoi gjakrat duke i lejuar përfaqësuesit të futeshin në hotel dhe ta shihnin me sytë e tyre se asnjë qytetar izraelit nuk ishte i pranishëm.
Më vonë, hoteli e postoi një njoftim ku thoshte se qytetarët izraelitë dhe hebrenjtë nuk lejohen të futen apo qëndrojnë në hotel.
Të nesërmen, vandalët e ndezën një zjarr në një zonë ndërtimore të një qendre kulturore hebraike në Nalçik, kryeqytetin e rajonit Kabardino-Balkaria./REL
Artikulli i plotë këtu.