Sot në orën 10:00 ishte parashikuar të niste Konferenca e Kryetarëve ku do të diskutohej për një projektligj të rëndësishëm, siç është ai për buxhetin.
Por deputetët e përjashtuar të opozitës, po ashtu edhe vetë Berisha kanë bllokuar hyrjen për në sallë dhe ia kanë arritur që të pengojnë nisjen e kësaj mbledhjeje.
Nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka mbajtur fjalën e saj sot para derës së kuvendit në prezencë të mediave.
Xhixho ka thënë se sipas saj qeveria tregoi paaftësi dhe klientelizëm me aktin e fundit normativ dhe se për të disatën herë në Kuvend vjen një akt normativ që injoron shtresat në nevojë.
Sipas saj, akti normativ nuk ngurron të shkurtojë investimet në strehim, arsim dhe shëndetësi, qeveria ndan mënjanë 2 milionë euro për investimet në godinat e veta.
Xhixho u ndal veçanërisht te arsimin në fjalën e saj duke thënë se njësoj si në mars të vitit të kaluar (fondet e arsimit u shkurtuan me 13 mln euro), kur Europa u kërcënua nga kriza e energjisë, qeveria “Rama” sakrifikon të parat fondet e arsimit.
“Interesi për degët e arsimit ka rënë në 6% të totalit të studentëve, buxheti i arsimit është vetëm 2% e GDP, ndërkohë që duhej të ishte të paktën 5%, fondet për shkencën janë gati inekzistente, 0.084% e PBB ndërkohë standarti i BE është 1%PBB, po ashtu 94 programe studimi janë në rrezik mbylljeje.
Dhe ndërsa këto shifra ulërasin për krizën ku ndodhet arsimi shqiptar, qeveria shton buxhetin e luksit të vet. Mbi 4 miliardë lekë do të paguajmë për kopshtin e Edenit në Kryeministri, afërsisht aq sa duhen për të trefishuar bonusin e bebes e për t’u ardhur në ndihmë familjeve që sjellin në jetë fëmijë,” tha Xhixho.