Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi në Rripin e Gazës, duke thënë se ofensiva shkatërruese do të vazhdojë derisa grupi militant, Hamas, t’i lirojë të gjitha pengjet.
Netanyahu i bëri këto komente të premten, pak pasi e takoi sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, i cili i bëri trysni Izraelit për një pauzë të përkohshme në ofensivën e tij, në mënyrë që kushtet humanitare të përmirësohen në Gazë.
Po ashtu, Blinkeni, i cili ishte sot në një vizitë në Tel Aviv, i bëri thirrje Izraelit të bëjë më shumë për t’i mbrojtur civilët nga bombardimet që po i kryen në Gazë.
Por, Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë “me të gjitha forcat e veta” dhe se “nuk pranon armëpushim të përkohshëm në të cilin nuk përfshihet rikthimi i të gjitha pengjeve”.
Hamasi i rrëmbeu rreth 240 njerëz gjatë sulmeve të përgjakshme që i kreu në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, të cilat e shkaktuan një luftë të re Izrael-Hamas.
Mbi 1.400 njerëz u vranë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, sipas zyrtarëve izraelitë.
Ndërsa, nga sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë mbi 9.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Para nisjes së Blinkenit drejt Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.
Në të njëjtën kohë, administrata Biden kërkoi që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë në Gazë pas rritjes së shqetësimeve për një krizë humanitare në këtë territor.
Bombardimet kanë detyruar mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante janë pakësuar për shkak të rrethimit të Izraelit dhe shumica e spitaleve janë buzë kolapsit./REL
Artikulli i plotë këtu.