Genta Vangjeli, zëdhënësja për departamentin e Anti-Korrupsionit në selinë blu denoncoi sot tenderat që ka fituar vëllai i deputetit socialist Xhemal Qefalia me kompaninë ‘Dajti Park 07 shpk’ që e ka ndryshuar dy herë emrin. Vangjeli tha se kjo kompani nga viti 2014 deri 2023 ka përfituar 1998 transaksione me vlerë totale 21.8 miliardë lekë. Më tej, sipas saj, ‘Dajti Park 07 shpk’ i ka fituar tenderat në shfrytëzim direkt të statusit të Qefalisë si deputet dhe si i lidhur me pushtetin.
Denoncimi i plotë
Dajti Park 07, një kompani në pronësi të familjarëve të deputetit socialist të Tiranës, Xhemal Qefalia, nga viti 2014 deri 2023 ka përfituar 1998 transaksione me vlerë totale 21.8 miliard lekë.
Kjo kompani e ka ndërruar edhe 2 herë emrin, si shumica e deputetëve të PS, duke kaluar nga Qefalia shpk, siç u regjistrua fillimisht në vitin 1999, në Vllaznia shpk në vitin 2006.
Nga viti 2016 njihet si Dajti Park 07 shpk.
Duhet thënë se kontratat milionere të Qefalisë nuk janë me kompani të huaja apo private, por me institucione publike të tenderuara, jo pak herë pa shpallje paraprake të njoftimit te kontratës.
Pra, në shfrytëzim direkt të statusit të Qefalisë si deputet dhe si i lidhur me pushtetin.
Kontratat janë kryesisht me objekt ‘Furnizime dhe shërbime me ushqim për mensat’, konkretisht paguar nga:
Komuna Dajt,
Qendra pritëse e Viktimave Linzë,
Qendra e Azilkërkuesve Babrru,
Reparti Ushtarak Nr.4300 Tiranë,
Bashkia Durrës, Bashkia Tiranë,
INSTAT, Q.K.P.
Shkolla Luigj Gurakuqi,
Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve,
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinise,
Ministria e Arsimit e Shkencës, e Mirëqenies Sociale,
Ministria e Mbrojtjes,
Shtëpia e pleqve Tiranë,
Ndërmarrja punëtorëve nr. 3,
Shërbimi Social Shtetëror,
Drejtoria e Konvikteve,
Maternitetet Mbretëresha Geraldinë dhe Koço Glozheni
Spitali i Burgut Tiranë,
Spitali Universitar i Traumës,
Spitali Kavajë,
Spitali Pogradec, etj…
Sikurse shihet nga lista, komuna e Dajtit është një prej kontraktueseve të Qefalia shpk. Jo për rastësi Qefalia është edhe mbiemri i kryetarit, më pas administrator i komunës Dajt.
A ka përfituar ‘Qefalia shpk 1998’ herë nga rastësitë, që nga viti 2014 e këtej, apo nga fakti se Qefalitë janë deputet apo kryetar komune të Partisë Socialiste?
A ka ndikuar influence e deputetit apo administratorit të komunës Dajt, i cili është edhe në konflikt interesi?
A janë këto shkelje të hetueshme dhe të dënueshme nga ligji apo ligji nuk është i barabartë për të gjithë?
A e dinë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se fondet miliarda lekë të përfituara me kontrata publike mund të jenë objekt i hetimeve nga drejtësia?
Këto janë pyetjet që bëjmë sot për të interesuarit, si për klanin Qefalia ashtu edhe për Prokurorinë e Posaçme.