Në Shqipëri, të gjithë treguesit demografikë që ndikojnë në plakjen e popullsisë janë në përkeqësim të vazhdueshëm.
Mosha mesatare 39 vjeç, shtesa natyrore e popullsisë në prag të rritjes negative apo emigracioni i lartë, kryesisht i të rinjve, po e plakin me ritme të shpejta popullsinë.
Sfidat sipas ekspertëve janë të mëdha, dhe vendi nuk është i përgatitur mjaftueshëm për t’u përballur me to.
Ky fenomen ka prekur mjaft vende të zhvilluara, por studiuesit vërejnë se pasojat në Shqipëri janë më të rënda për shkak të një ekonomie më të dobët.
Në Shqipëri ka disa vite që popullsia është bërë më e moshuar. Vetëm në 10 vitet e fundit grup-mosha e popullsisë mbi 65 vjeç është rritur nga 11% në vitin 2011, në rreth 16, ndërsa ajo deri në 14 vjeç ka rënë nga afro 21 në 16%.
Ndërsa mosha mesatare e popullsisë është 39 vjeç nga 33 që ishte një dekadë më parë. Studiues të zhvillimeve shoqërore vënë re me shqetësim se të gjithë treguesit demografikë që ndikojnë në plakjen e popullsisë janë përkeqësuar.
Rënia e numrit të lindjeve është një prej tyre. Në dhjetë vitet e fundit ai ka rënë me 30%, ndërsa vetëm vitin e kaluar ra me 10% krahasuar me atë paraardhës.
Numri i lindjeve aktualisht është 1. 2 fëmijë për një grua në moshë riprodhuese dhe prej dy dekadash është nën kufirin prej 2.1 i nevojshëm për ripërtëritjen e popullsisë./VOA
Artikulli i plotë këtu.