Qeveria e re e Sllovakisë refuzoi të mërkurën një plan të hartuar më parë për t’i dhuruar Ukrainës raketa dhe municione, duke përmbushur kështu një zotim të Kryeministrit të ri Robert Fico, për të ndalur ndihmën ushtarake për Kievin që po përballet me sulmin e forcave ruse.
Në planin e ndihmave përfshihen 140 raketa të sistemeve KUB për mbrojtjen ajrore, mbi 5 mijë predha artilerie për topin me kalibër 125 mm, si dhe 4 milionë predha të kalibrit më të vogël. Plani ishte njoftuar më herët nga qeveria teknike e këtij vendi anëtar i NATO-s, qeveri e cila transferoi pushtetin muajin e kaluar.
Qeveria e zotit Fico e refuzoi këtë plan gjatë takimit të kabinetit të mërkurën, u njoftua në faqen zyrtare të qeverisë.
Zoti Fico bëri fushatë elektorale duke kritikuar mbështetjen ushtarake të Perëndimit për Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë. Ai gjithashtu mbështet nxitjen e bisedimeve për paqen, një qëndrim i ngjashëm ky me atë të udhëheqësit të Hungarisë, Viktor Orban, qëndrim që është refuzuar nga Kievi.
Partia e majtë e zotit Fico, SMER-SSD, fitoi në zgjedhjet e 30 shtatorit dhe ka krijuar një koalicion qeverisës me partinë e qendrës së majtë HLAS dhe atë nacionaliste SNS.
Zoti Fico ka thënë vazhdimisht se vendi mund të ndalte furnizimin e Ukrainës me armatim nga depot e ushtrisë, por ka qartësuar rishtazi se marrëveshjet e biznesit privat nuk do të prekeshin.
Sllovakia ka qenë mbështetëse e vendosur e Ukrainës, dhe qeveria e mëparshme e qendrës së majtë dërgoi paisje ushtarake, përfshirë autoblinda luftarake, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore S-300 dhe avionë luftarakë MiG-29./VOA
Artikulli i plotë këtu.