Arrestohet në Turqi Dritan Rexhepi. Kreu i kartelit të drogës “Kompania Bello” që trafikonte kokainën nga vendet e Amerikës Latine në Europë u prangos në Stamboll.
Lajmin e dha ministri turk i Brendshëm, Ali Yerlikaya. Ai deklaroi se Rexhepi ka hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.
Por kush është Dritan Rexhepi?
Dritan Rexhepi (me shumë emra) në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Hera e fundit që rezulton se ai ka hyrë në Shqipëri, është data 16 nëntor 2013, nga pika e kalimit Kufitar në Kakavijë, ku ka përdorur një pasaportë me emrin Lulzim Murataj. Rexhepi, njihet si mjeshtri i arratisjeve nga burgu. Fillimisht, ai është arrestuar në 2007 në ambientet e “Hotel Tirana” së bashku me Nadien Zeneli. Pas arrestimit është transferuar në Durrës, pasi oficerët e Drejtorisë së Policisë Durrës kishin kryer të gjithë operacionin për zbulimin dhe prangosjen e tij. Këtu ndodh edhe arratisje e tij e parë. Rexhepi në fakt ka mundur t’u ikë nga ambientet e komisariatit të policisë Durrës, pasi oficeri Albert Strati dhe zëdhënësja e policisë së Durrësit, e kishin nxjerrë nga dhoma e shoqërimit, për t’i bërë një foto, me qëllim publikimin e lajmit të arrestimit të tij, në shtypin e kohës. Ai u largua duke përfituar sapo është futur në qeli, ku dera besohet se është lënë hapur nga oficeri Albert Strati. Arratisja ka ndodhur vetëm minuta, kur prokurori Anton Martini dhe oficeri i policisë gjyqësore, Arben Frashëri sapo kishin përfunduar pyetjen e Rrexhepit dhe shokut të tij Nadien Zeneli për vrasjen e dy policëve. Ato ishin larguar drejt Tiranës.
Gjashtë vite pas arratisjes nga komisariati i Durrësit, në 2013, Gramoz Rexhepi, u kap në Itali. Pala shqiptare që ndërkohë po zhvillonte gjyqin në mungesë në Apelin e Krimeve të Rënda kundër Rexhepit për dy vrasjet e policëve, sapo mësoi arrestimin e tij në Itali, menjëherë nëpërmjet një letërporosie të dërguar në Itali, kërkoi njoftimin e këtij personazhi “Foto”, se në Shqipëri po zhvillohej një proces gjyqësor kundër tij. Por nga Italia ka ardhur një përgjigje surprizë. Gjatë procedurave për njoftimin e të dënuarit Gramoz Rexhepi është mësuar së i dënuari ishte arrestuar në Itali. Në këto rrethana, është proceduar me njoftimin nëpërmjet letër-porosisë drejtuar Autoriteteve të Drejtësisë Italiane. Por ka rezultuar se njoftimi i të dënuarit Gramoz Rexhepi, nuk është bërë e mundur nga Autoritetet Italiane, pasi ishte arratisur nga burgu…”.
Por kjo arratisje e Rrexhepit nga burgu italian të Voghera, nuk ka qenë e fundit. Drejtësia shqiptare ka kërkuar informacion për Dritan Rexhepin në Zyrën Qendrore Kombëtare të Interpolit dhe prej kësaj Zyre u zbulua se Dritan Rexhepi pas arratisjes nga burgu në Itali, ishte arrestuar në Spanjë dhe ishte ekstraduar në Belgjikë. Por në një tjetër dokument zbulohet edhe arratisja e tretë e Dritan Rrexhepit:-“…gjatë vuajtjes së dënimit në Belgjikë, Dritan Rexhpi ishte arratisur nga burgu Merksplas, Belgjikë në drejtim të paditur…”.
Po kur ka qenë hera e fundit e qëndrimit në Shqipëri e Dritan Rexhepit? Që pas arratisjes së parë nga Durrësi dhe gjatë kohës së zhvillimit të gjyqit në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda kur ishte në kërkimin ndërkombëtar, Dritan Rexhepi ka qenë në Shqipëri shumë herë të tjera, edhe në asnjë rast dhe nga askush, nuk është arrestuar: Dritan Rexhepi ka dalë nga pika e kalimit kufitar Kakavijë me pasaportën biometrike të falsifikuar më gjeneralitetet Lulzim Murataj, në datën 28.11.2011 dhe ka disa hyrje dalje nga e njëjta pikëkalimi dhe hyrja e fundit e tij, është në datën 16.11.2013. Të dhënat e pasaportës në emër të Lulzim Murataj, përputhen plotësisht me numrat e pasaportës së personit të arrestuar në Ekuador, me emrin Lulzim Murataj…”.
Në fakt teksa ka dalë për herë të fundit nga Shqipëria në nëntor 2013 nga pika e Kakavijës në Gjirokastër, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në vendlindje, pasi në muajin Gusht të 2014, ai u arrestua në Ekuador pikërisht me emrin false, Lulzim Murataj. Ky dokument tregon se:“…ka rezultuar se në datën 8.08.2014 në kuadër të një operacioni antidrogë “Balance” të zhvilluar në Ekuador, përveç shtetasve ekuadorianë është arrestuar dhe shtetasi shqiptar Lulzim Murataj, lindur Vlorë, posedues i pasaportës me nr.BB 3563478. Nga verfikimet e bëra nga Departamenti i Krimit të Organizuar në sistemin TIMS, rezulton se ky shtetas i identifikuar me emrin Lulzim Murataj, është personi i shpallur në Kërkim Ndërkombëtar, Dritan alias Gramos Rexhepi ose “Dioniso Poulos”, i cili ishte arrestuar në Ekuador…”.
Lulzim Murataj identitetin e të cilit e ka përdorur Dritan Rexhepi, rezulton se është banor i komunës Kote, i lindur në fshatin Velç, në 23 prill 1979, i cili aktualisht rezulton të jetë në burg në Angli. Por kjo nuk ka penguar Gramoz Rexhepin të siguronte një pasaportë me identitet të bashkëfshatarit të tij Lulzim Murataj, por me foton e vetë Dritanit. Rezulton se aplikimi për nxjerrjen e pasaportës biometrike është kryer në komunën Levan të Fierit dhe të gjithë praktikën e dokumentacionit e më pas hedhjen në sistem të gjurmëve të gishtave dhe fotografive e ka ndjekur punonjësi i qendrës së aplikimeve, Anton Përlala. Gjurmët papilare të gishtave dhe foto kanë qenë të Gramoz Rexhepit, ndërsa të dhënat e tjera janë hedhur në sistem në emër të Lulzim Murataj. Në vitet e fundit ka qenë i dënuar në Quito, kryeqyteti i Ekuadorit. Ai ishte dënuar me 13 vite burgim për trafik të 278 kg kokainë dhe grup i strukturuar kriminal. Doli me kusht, por u arratis.
Porositi pengmarrjen në Tiranë, kush është bosi shqiptar që u kap në Stamboll?