Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku vetëm pak minuta pas incidentit me kolegun demokrat Dash Sula doli në një deklaratë për mediat ku njoftoi se është duke u konsultuar për ta kallëzuar penalisht. Shprehu zhgënjimin dhe keqardhjen për përplasjen. Tha se në komision sot u ftua nga Jorida Tabaku, e cila vetë nuk shkoi.
“Sot mora pjesë në një mbledhje, komisioni i Ekonomisë që drejtohet nga opozita, zonja Tabaku. Aty vajza i bindur se do të gjeja kryetaren e komisionit. U gjenda në një situatë surprizë. Mbledhja drejtohej nga n/kryetarja e komisionit (Etilda Gjonaj). Por kjo as nuk më shqetësonte. Për shkak të rrëmujës apo një pjesë të drejtë, që unë i mbështes një pjesë të kauzave të opozitës, ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, që është e drejtë e opozitës.
Por për shkak të zhurmës nuk arrita për të dëgjuar ministren e Integrimit dhe t’i thosha se Shqipëria dhe qeveria e Ramës është përgjegjëse kryesore për vonesën, rëndimin e hapave të Shqipërisë për integrimin. U përballë me një situatë që më turpëron, në një sulm verbal që përfundoi me goditje fizike. Skena që realizoi turpëron çdokënd në këtë parlament. E kuptoj që ka një aleancë për të heshtur, si në interpelancën për Kosovën, që më pas bashkuan votat për rezolutën.
Si mund të degradojë deri në këtë pikë jeta parlamentare. I thellë është zhgënjimi dhe trishtimi dhe shpresoj që të mos përsëriten më kurrë të tilla raste. Përfituesi më i madh i kësaj histori është Edi Rama, që po kalon buxhetin pa debat dhe rrezikon të kalojë marrëveshje të dëmshme për Shqipërinë. Nuk më tremb dhe nuk më shqetëson asgjë, vetëm më vjen keq. Juristët e mi po e vlerësojnë rastin për ta kallëzuar dhe nuk e përjashtoj rastin” tha ai.