Ndërkohë që forcat izraelite po vazhdojnë fushatën ushtarake kundër Hamasit në Rripin e Gazës dhe thirrjet për armëpushim po rriten, analistë thonë se tashmë po bëhet trysni mbi Izraelin për të propozuar një zgjidhje për Gazën e pasluftës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Alon Pinkas, diplomat izraelit dhe këshilltar i politikës së jashtme i disa ministrave dhe kryeministrave izraelitë, i tha koleges Garentina Kraja se një prani ndërkombëtare në Gazë, e ngjashme me administrimin ndërkombëtar të pasluftës në Kosovë mund të vendosë themelet e një procesi të ri politik si rrugëdalje nga konflikti në Lindje të Mesme
Zëri i Amerikës: Zoti Pinkas, në një shkrim të fundit ju vini në dukje se ndërmjet Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ka ndryshime lidhur me periudhën pas përfundimit të luftës në Gazë. Cilat janë këto dallime, sipas jush?
Alon Pinkas: Po, ka dallime në qasje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Në javën e parë (të konfliktit), SHBA-të dërguan aeroplanmbajtëse, Presidenti Biden dhe Sekretari i shtetit, tri herë, vizituan Izraelin para se të shiheshin dallimet.
Për Shtetet e Bashkuara shqetësimi kryesor në atë kohë ishte parandalimi i përshkallëzimit. Por u bë një muaj dhe theksi tani nuk është tek përshkallëzimi, por si e shohin amerikanët, për dallim nga Izraeli, planin e pasluftës.
Amerikanët realisht po i thonë Izraelit se si në çdo luftë, siç na mëson (strategu ushtarak) Carl von Clausewitz, lufta është vazhdim i politikës, por me mjete të tjera, që do të thotë se duhet një qëllim politik, të cilit i shërbejnë burimet ushtarake.
Ajo që tani po shohim është mungesa e të menduarit strategjik. Po shohim atë për çfarë ka pajtim – të qëllojmë Hamasin, ta shkatërrojmë Hamasin dhe ta rrëzojmë Hamasin./VOA
Artikulli i plotë këtu.