Ish-kryeministri Sali Berisha refuzon që të marrë dijeni për procesin gjyqësor kundër tij në Gjykatën e Posaçme pasi SPAK-u “kopsiti” dosjen për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Gjykata vendosi dy masa sigurie, detyrim paraqitje dhe bllokimin e daljes jashtë vendit.
Irena Gjoka i la detyrë që të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të cdo muaji përpara OPGJ-së. Të hënën e kaluar, Berisha refuzoi. Gjykata u detyrua që të bëjë sërish njoftim për ish-kryeministrin.
Gjykata thotë se njoftimi i është dërguar me postë në tre vende, selinë e PD-së, Kuvend dhe adresën e shtëpisë. Gjithashtu edhe avokatëve. Por, gjykata thekson se “njoftimi është kthyer me nënshkrimin ‘Refuzuar’”.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dërguar nëpërmjet shërbimit postar dëftesat e komunikimit për njoftimin e personit nën hetim z. S. B. pranë selisë së PD-së dhe në adresën e shtëpisë, pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Njoftimi është kthyer me nënshkrimin ‘Refuzuar’. Gjithashtu u dërguan dëftesat e komunikimit edhe avokatëve mbrojtës, përfaqësues të tij me prokurë të posaçme.’- njofton Gjykata.