Ndërsa janë shtuar thirrjet për armëpushim në luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, izraelitët kanë filluar të mendojnë se çfarë do të ndodhë pasi të kenë përfunduar luftimet.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, anëtarët e komuniteteve përgjatë kufirit me Gazën thonë se do të donin të riktheheshin në shtëpitë e tyre, por vetëm nëse do të ndiheshin të sigurtë.
Kibuci “Kfar Aza” dhe pjesa më e madhe e komuniteteve izraelite në kufi me Gazën janë shndërruar në qytete fantazma që nga 7 tetori, kur militantët e Hamasit shkatërruan shtëpitë, vranë rreth 1200 izraelitë dhe morën peng në Gazë rreth 240 persona.
Izraeli evakuoi rreth 200 mijë banorë të zonave pranë Gazës dhe i strehoi në hotele dhe banesa të përkohshme. Pjesa më e madhe e banorëve të këtyre komuniteteve thonë se duan të kthehen në shtëpitë e tyre, por vetëm nëse sigurohen se nuk do të përsëritet kurrë më ajo që ndodhi më 7 tetor.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se mënyra e vetme për të garantuar sigurinë e shtetasve izraelitë është që të shkatërrohet plotësisht Hamasi dhe më pas Izraeli të mbajë nën kontroll situatën e sigurisë në Gazë.
“Gaza do të çmilitarizohet dhe nuk do të ketë më kërcënim nga Rripi i Gazës për shtetin e Izraelit. Dhe me qëllim që të sigurohemi se nuk do të ketë një kërcënim të tillë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit do të vazhdojnë të mbajnë nën kontroll sigurinë në Rripin e Gazës për të parandaluar terrorin që mund të vijë prej andej”, tha Kryeministri Netanyahu.
Ndërsa po rritet numri i viktimave në radhët e civilëve, po shtohet trysnia ndaj Izraelit nga aleati kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të bërë më shumë për të lehtësuar krizën humanitare që po përkeqësohet./VOA
Artikulli i plotë këtu.