Plani i diskutueshëm i Britanisë për të dëbuar azilkërkuesit në Ruanda u rrëzua nga Gjykata e Lartë të mërkurën, duke i dhënë një goditje potencialisht fatale politikës kryesore të kryeministrit Rishi Sunak për emigracionin, shkruan BBC.
Gjykata më e lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi kundër qeverisë, duke u mbështetur në një vendim të mëparshëm të gjykatës së apelit që konstatoi se politika e cila është dënuar ashpër nga organet humanitare ishte e paligjshme. Argumenti i gjykatës ishte se në Ruanda nuk respektohen të drejtat e njeriut.
Lordi Reed, presidenti i gjykatës, tha se kishte arsye të konsiderueshme për të besuar se refugjatët e mund të jenë subjekt i trajtimit çnjerëzor. Pesë gjyqtarët me vendim unanim thanë se Gjykata e Apelit kishte pasur të drejtë në përfundimin në qershor se nuk kishte pasur një vlerësim të duhur nëse Ruanda ishte e sigurt.
Vendimi, sipas BBC-së, “nuk ndalon dërgimin e emigrantëve në një vend tjetër, por e rrëzon planin për në Ruanda dhe nuk është e qartë se cilat vende të tjera janë të përgatitura të bëjnë një marrëveshje të ngjashme me Mbretërinë e Bashkuar“.
Qeveria britanike kishte argumentuar se Ruanda kishte dhënë garanci diplomatike të qarta dhe të besueshme se kushdo që dërgohej atje do të trajtohej në mënyrë të drejtë dhe njerëzore. Por agjencia e refugjatëve e OKB-së tha se sistemi i azilit në Ruandë ishte thellësisht i padrejtë.
Plani u njoftua për herë të parë në prill 2022, por është përballur me sfida ligjore dhe nuk ka arritur të dëbojë një person të vetëm. Vendimi shpëton edhe emigrantët shqiptarë të paligjshëm në Britani. Por ky vendim vjen në një moment kur Shqipëria ka firmosur marrëveshjen me Italinë për të marrë emigrantët në Shëngjin.