“SHBA-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s, për sigurimin e një Evrope të sigurt dhe paqësore dhe ne jemi krenarë për marrëdhëniet e mira të SHBA-së me shtetet anëtare të Kartës së Adriatikut,” ka deklaruar të enjten në Shkup të Maqedonisë së Veriut, Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, Celeste Wallander.
Ajo në Shkup mori pjesë në takimin e 20-të ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A-5) ku u bisedua për sfidat rajonale të sigurisë pas pushtimin të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.
Vendet e Kartës SHBA-Adriatik (A5) dënuan njëzëri agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, si kërcënim për paqen dhe sigurinë globale, evropiane dhe rajonale.
“Ne nuk jemi vetëm aleatë, ne jemi edhe miq që jemi të bashkuar drejt vizionit të një Evrope paqësore dhe të qëndrueshme, e cila ndjek dhe respekton parimet e lirisë dhe sundimit të ligjit,” tha Wallander.
Angazhimi dhe puna në kuadër të Kartës SHBA-Adriatik (A5), dorëzimi i presidencës Shqipërisë, misioni i NATO-s në Irak dhe të gjitha angazhimet e përbashkëta të ardhshme, sipas Wallander, duhet të jenë një “kujtesë se çdo hap është një hap me të cilin paqja nuk është vetëm një aspiratë, por edhe realitet për të gjithë komunitetin global”.
Duke komentuar zhvillimet në Kosovë Wallander tha se “përmes dialogut duhet të gjenden kompromise që do të kontribuojnë në sigurinë e rajonit”.
Ajo shprehu keqardhjen për incidentin e shtatorit në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku ndërsa theksoi se në shënjestër të sulmeve të mëparshme ishin edhe ushtarët amerikanë në kuadër të KFOR-it./REL
Artikulli i plotë këtu.