Vetëm 5 minuta zgjati seanca e sotme parlamentare ku shumica socialiste votoi buxhetin dhe Lindita Nikolla mbylli seancën. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi paralajmëroi se ky është vetëm hapi i parë.
“Do të donim të kishim shkëmbim të ideve, por opozitës i mohohen të drejtat e veta Kushtetuese. Nuk kemi betejë me Gardën, që sipas ligjit nuk mund të futet në sallën plenare për të rrethuar deputetët e Kuvendit. Nuk ka ndodhur kurrë.
Sot Rama i dha më shumë fonde një tjetër kontrate koncesionare që duhet të anulohet. Beteja jonë do të vazhdojë. Ne nuk do të lejojmë punimet normale të Kuvendit. Sot ka miratuar një buxhet për t’i çuar më shumë fonde krimit të organizuar dhe miqve të tij. Beteja jonë është për të treguar se ky nuk është parlamenti i tyre.
Kemi një plan përshkallëzimi, jemi vetëm në hapin e parë, mos na çoni në hapin e fundit. Kini durim. Mos u lodhni. Në ditët në vijim do të shihni cdo hap të opozitës për të fituar të drejtat e veta” tha ai.