Seanca e sotme plenare e Parlamentit nuk bëri xhiron vetëm të mediave brenda vendit, por edhe atyre jashtë nga Greqia deri në SHBA.
“Protothema” shkruan se ligjvënësit nga Partia Demokratike e opozitës shqiptare ndezën tymuese dhe një zjarr, i cili u shua shpejt, brenda Parlamentit në një përpjekje të dështuar për të penguar votimin për buxhetin e 2024-ës.
“Deputetët grumbulluan karrige në qendër të Kuvendit dhe më pas plasi tymi i kuq, jeshil dhe vjollcë ndërsa personeli i sigurisë u vendos para karriges së kryeministrit Edi Rama. Një deputet u pa duke ndezur një zjarr të vogël.
Kreu de facto i partisë opozitare dhe ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë se po përpiqet të heshtë opozitën në Parlamentin ku Partia Socialiste e Ramës ka shumicën.
“Beteja nuk ka mbaruar”, u tha Berisha gazetarëve pas rrëmujës në sallën ku u miratua buxheti në votimin e parë në një seancë që zgjati më pak se pesë minuta.
Muajin e kaluar, prokurorët akuzuan Berishën dhe dhëndrin e tij për korrupsion në lidhje me një marrëveshje pronash të paluajtshme që përfshinte terrenet e një klubi sportiv” shkruan gazeta greke.
Gjithashtu lajmin për atë që ndodhi sot e ka publikuar edhe “Washington Post” dhe media të tjera.