Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja i liroi të shtunën vonë 17 pengje, përfshirë 13 izraelitë nga Rripi i Gazës, derisa Izraeli i liroi 39 të burgosur palestinezë në ditën e dytë të një armëpushimi katërditor.
Këmbimi i pengjeve me të burgosurit u krye në orët e vona të së shtunës, pas vonesave disa orëshe, për shkak se Hamasi e akuzoi Izraelin e se kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit.
Kjo vonesë e theksoi brishtësinë e armëpushimit, i cili e ka ndalur një luftë që e ka tronditur dhe dridhur Izraelin, ka shkaktuar shkatërrim tejet të madh në Rripin e Gazës, si dhe ka kërcënuar me përshkallëzimin e luftës në tërë rajonin.
Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Izraeli shpalli gjendje lufte menjëherë, duke kryer bombardime disa javore dhe duke e nisur një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë mbi 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur.
Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Katari dhe Shtetet e Bashkuara, është pauza e parë e gjatë në luftime prej se nisi lufta.
Në përgjithësi, Hamasi i ka liruar së paku 50 pengje izraelite, ndërsa Izraeli 150 të burgosur palestinezë. Të gjithë janë gra dhe të mitur./REL
Artikulli i plotë këtu.