Një zjarr ka përfshirë rreth orës 15:30 të kësaj të mërkure shtëpinë e të moshuarve në Fier. Zjarri dyshohet se ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në godinën pranë shtëpisë së të moshuarve.
Fillimisht flakët janë pikasur në katin e dytë, duke shkaktuar dëme materiale. Në panik 51 të moshuarit kanë dalë në oborr mes tymit e flakëve. Disa u dërguan në spital. Një e moshuar tregoi si ndodhi ngjarja.
“Kur unë e pashë, tymi po vinte. Gjithmonë sirena bie për një incident të vogël. Kur e pashë tymin i thashë shoqes së dhomës çohu se po mbushet shtëpia me tym.
Dhe ikëm avash avash, kur shkuam te shkallët e dyta nuk u mbushëm dot me frymë. Pastaj erdhën dhe na ndihmuan. Nuk ka pasur incidente. Kam 6 vite këtu dhe nuk ka bërë vaki. Shkëndija elektrike çfarë nuk mund të japi.
Ishim të gjithë brenda. Ka ardhur i gjithë tymi brenda dhe u bllokuam brenda. Jemi të gjithë brenda. Asnjë nuk u prek shyqyr Zotit. Ishte një moment paniku por jo i dëmshëm”, tha një e moshuar.
“Më shumë na futi në panik e bërtitura. Ne ishim brenda, kur tha hajdeni se u dogjëm” u shpreh një tjetër.