-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

BIRN: Nikolla paralajmëron mbajtjen pa afat në sirtar të ‘mandatit të Xhaçkës’

Kryesoret

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka mbetet i pazbatuar prej gati 1 viti në Kuvend, ndërsa kriza e re e përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës duket se po shfrytëzohet për ta mbajtur këtë çështje në sirtar për një kohë të pacaktuar.

Kabineti i kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla pretendoi të premten se moszbatimi i vendimit për mocionin e papajtueshmërisë së mandatit të Xhaçkës lidhej me mungesën e normalitetit të punimeve të Kuvendit.

“Çështja për të cilën ju interesoheni si edhe çështjet e tjera që janë në programin e punës së Kuvendit do të shqyrtohen sa më shpejt, me kthimin e normalitetit të punës në Kuvend,” tha shefi i kabinetit, Kosta Bajraba, në përgjigje të pyetjeve drejtuar Nikollës.

Bajraba nuk iu përgjigj pyetjes se pse situata në Kuvend  nuk ishte shqetësim për të vijuar me miratimin e ligjeve të tjera me rëndësi.

Gjykata Kushtetuese në janar shfuqizoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të bllokuar dërgimin për interpretim në këtë gjykatë të mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.

Për kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, moszbatimi i vendimit të Kushtetueses për Xhaçkën nuk lidhej me situatën në Kuvend.

Bardhi i tha BIRN se deri më tani i kishte dërguar tre kërkesa zyrtare Kryetares së Kuvendit për këtë çështje dhe kishte ngritur shqetësimin dhe në Konferencë, pa marrë një përgjigje.

“Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është shprehje e qartë e vullnetit të mazhorancës për dhunimim e Kushtetutës dhe mbrojtjen e abuzimeve me pushtetin,” tha Bardhi, duke shtuar se “siç votohen ligjet me të cilat financohen me më shumë para oligarkët, mund dhe duhet të votohet për zbatimin e vendimit të GJK”.

Çështja e mandatit të Xhaçkës mbahet nga korriku në zyrën e Nikollës, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshëm parlamentare që do të ndjekë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi një raport ku i sugjeronte asaj rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

Në fund të shtatorit, Kryetarja e Kuvendit u justifikua me axhendën e ngjeshur në fillim të sesionit parlamentar, ndërsa në tetor zyra e saj i tha BIRN-it se kjo çështje do të shqyrtohej dhe do të kishte një vendim nga Këshilli i Mandateve brenda 2 javëshit të parë të nëntorit.

Pavarësisht pretendimeve që vijnë nga Kuvendi, duket se kjo është një çështje që varet nga vullneti politik i mazhorancës, pasi kryeministri Edi Rama e quajti të paqartë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mandati i Xhaçkës është vënë në pikëpyetje për shkak të përfitimit të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi të statusit të investitorit strategjik për një hotel në Dhërmi si dhe lejen për shfrytëzimin e brigjeve përpara hotelit. Ndërkohë disa javë më parë, Prokuroria e Posaçme, SPAK, vendosi masën e sekuestros preventive mbi një sipërfaqe toke prej 5512 m2 në pronësi të Gaçit në bregdet, pasi dyshohet se u përfitua përmes dokumenteve të falsifikuara.

/Reporter.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Leave a Reply

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit