15 të akuzuarit për inceneratorin e Tiranës dolën sot në gjyq për t’u njohur me masat e sigurisë. Debate të forta ka pasur në sallë.
Të gjithë të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Tiranës kanë mohuar akuzat e ngritura nga SPAK. Shumica prej tyre kanë folur vetë para togave të zeza duke pretenduar se kanë kryer detyrën dhe kanë zbatuar ligjin.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka e ka konsideruar si politike arrestimin e tij. “Kërkoj ndjesë gjithë stafit nëse janë këtu për shkakun tim. Ata kanë bërë më të mirën që mund të bënin. Akuzat janë ngritur mbi bazë të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël. Ndjesë të gjithë juve” tha ai.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako në mbrojtjen e tij ka pretenduar se për blerjen e makinerisë së birrës disponon fatura, duke mohuar akuzat e ngritura se mund ta ketë përfituar nga Klodian Zoto.
“E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Nuk kam përfituar blerje të tillë nga Klodian Zoto”, tha Bllako.
Për punësimin e Vladimir Bezhanit, Alqi Bllako tha se “Është një kontratë e ligjshme me sektorin privat”.
Sa i takon komunikimeve të disa prej zyrtarëve me Klodian Zoton apo punonjës të kompanisë së tij, të akuzuarit kanë pretenduar se në rastin e ofertave të pa kërkuara duhet të ketë komunikim, bisedime e kontakte mes firmës që ka shfaqur interes dhe kontraktorëve.
Inceneratori i Tiranës, Bllako: Makinerinë e birrës nuk ma bleu Zoto