PA KONTRATË – Në këtë moment që flasim te Tirana janë katër lojtarë që në fund të sezonit u mbaron kontrata. Bëhet fjalë për Florent Hasanin, Filip Najdovskin, Florjan Përgjonin dhe Ilion Likën.
Ky i fundit ndoshta në sezonin e tij të fundit, Hasani, duhet të ikë në janar, ndërsa Përgjoni dhe Najdovski duhet të rinovojnë sa më shpejt. Edhe pse ka kontratë, Mustafë Abdullahu mund të ikë në qershor për një ofertë marramendëse. Më para lojtari nuk ikën, vetëm nëse Tirana e sakrifikon për financat.
STOLI – “Panorama Sport” mëson se janë edhe të paktën tre lojtarë të tjerë që qëndrojnë në stol dhe duan të luajnë. Leon Kozi kërkon të tregojë veten diku tjetër. Ardhja e Selmanit në pjesën e dytë të sezonit e sposton sërish portier të tretë dhe në janar rrugët ndahen.
Klevi Qefalija është lojtari i dytë që nuk ka vend në mesfushë. Po sheh për diku tjetër. Në fund, Fjoart Jonuzi. Firmosi për të qenë titullar, por qëndron në stol. Zgjedhja e tij është nëse do të pranojë të jetë skalion i dytë, pra të presë shansin e tij apo do të shohë në janar një zgjidhje tjetër. Shkurt, Tirana ka nëntë lojtarë në mëdyshje për 2024-ën. Të shohim se çfarë do të ndodhë në vitin e ri.
KOSOVA SI PISTË – Largimi apo lëvizja e kaq lojtarëve duhet të mbulohen. Nga ana e drejtuesve të Tiranës është parë me kujdes në çdo treg të rajonit.
Me shumë mundësi, Tirana do të importojë lojtarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova apo Mali i Zi. Burime në klub bëjnë me dije se klubi ka disa marrëveshje në Kosovë për të zëvendësuar të ata që ikin. Gjithsesi, pa u larguar lojtarë zor se te Tirana do të ketë afrime “VIP”.
/Panorama Sport









