Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët e opozitës, Berisha-Bardhi, kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët.
Pas kësaj pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes me Italinë, e për pasojë ditën e nesërme nuk do të ketë votim në seancën plenare për këtë marrëveshje.
Mësohet se seanca për shqyrtimin e padisë së opozitës do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve.
Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh.
Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese,” thuhet mes të tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Më herët, më 6 dhjetor, 30 deputetë të Bardhit dhe Berishës kanë dorëzuar në gjykatën Kushtetuese padinë kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët duke e cilësuar si anti-kushtetuese.