Mund të kishte qenë mbrëmja e Amir Rrahmanit, por fati nuk ishte me mbrojtësin dardan. Në takimin mes Napolit dhe Cagliarit, në stadiumin “Maradona”, ish-mbrojtësi i Partizanit goditi shtyllën në minutën e 29-të.
Vendësit kishin fituar një goditje dënimi afër zonës së kundërshtarëve dhe në zhvillimet e saj, topi gjen kokën e Rramanit, që për çështje centimetrash nuk e dërgoi topin në rrjetë, por goditi shtyllën.
Me të drejtë 29-vjeçari vë duart në kokë, do të kishte qenë një gol vërtet i bukur.
Gjithsesi, pas shumë përpjekjesh, Napoli ia doli të merrte maksimumin e pikëve para publikut vendës. Goli që zhbllokoi takimin e shënoi Osimhen në minutën e 69-të.
Vetëm tri minuta më vonë Cagliari u kundërpërgjigj me Pavolettin, që ktheu baraspeshën në rezultat.
Vendësit nuk mund ta pranonin këtë rezultat dhe u hodhën menjëherë në sulm, për të rimarrë epërsinë me golin e dytë të shënuar nga Kvaratskhelia.
Fitore jo pa vuajte për Napolin, që parakalon Romën në renditje, por skuadra e Mourinhos zbret në fushë këtë të diel kundër Bolognas./Super Sport