-sidi education-spot_img
21.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Zgjedhjet në Serbi/ Pro apo kundër “sistemit Vuçiç”?

Kryesoret

Ditë e shtunë në fillim të dhjetorit: Qindra autobusë rreshtohen përgjatë rrugëve të gjera të Beogradit të Ri. Turma dynden në Arenën e Beogradit, një nga sallat më të mëdha sportive në Evropë. Aty do të zhvillohet tubimi qendror i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet. Ylli i vetëm: Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Udhëheqësi i fshatit tonë organizoi udhëtimin për në Beograd,” thotë një burrë duke pirë nga një kanaçe birre në një stol. Ai vjen nga një fshat në veri të Serbisë. “Sigurisht që unë e mbështes Vuçiçin. Ai na dha të gjitha paratë, së fundmi 10.000 dinarë, plus për përfituesit e ndihmës sociale.”

Dhurata të tilla zgjedhore janë të zakonshme në Serbi. Edhe kësaj radhe Vuçiç vendosi para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit të shpërndajë pagesa të njëhershme nga buxheti i shtetit për pensionistët, të rinjtë apo të papunët.

Ndonjëherë është 10.000 dinarë (ekuivalenti me 85 euro), herë pak më shumë e herë më pak. Për shumë në Serbi është pothuajse thelbësore për mbijetesë. Paga mesatare në vend është vetëm 725 euro neto në muaj. Ndërsa pensionistët marrin mesatarisht vetëm 330 euro.

Vuçiç premton rritje të reja pensionesh në janar – sigurisht vetëm nëse fiton partia e tij. Vetë presidenti nuk kandidon për zgjedhje – ai fitoi mandatin e tij të dytë vitin e kaluar. Por gjithçka rrotullohet rreth tij. Çdo listë zgjedhore e SNS-së, edhe në fshatin më të vogël, mban emrin e tij.

Kritikat e shumta

Revista e përjavshme Vreme e përshkruan Vuçiçin si një “mbret lypës” – ai e paraqet veten si një njeri që shpërndan paratë, ndërton rrugë dhe linja hekurudhore dhe krijon vende pune.

Akuza e opozitës është se Vuçiç e drejton vendin me dorë të hekurt dhe manovron mes BE-së, Rusisë dhe Kinës. Sipas kritikëve, regjimi i presidentit ka lidhje të ngushta me mafian dhe është tërësisht i korruptuar.

Në paraqitjet e tij pothuajse të përditshme televizive, Vuçiq akuzon kritikët e tij se janë tradhtarë dhe hajdutë që duan vetëm të fitojnë pushtetin.

Në Arenën e Beogradit, Vuçiç bërtiste: “Sot, Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që ndjek politikën e saj”. Duartrokitjet ishin të mëdha, por jo të gjithë erdhën në tubim me vullnetin e tyre dhe brohoritën nga bindja.

Një i ri na tregon se si shkojnë gjërat. Ai punon në një spital në një qytet të vogël. Për të mbajtur vendet e punës, ai dhe kolegët duhet të shkojnë në mitingun në Beograd dhe të votojnë për SNS-në. “Kjo është katastrofike, por çfarë duhet të bëj?” thotë ai./DW

Artikulli i plotë këtu.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit