-sidi education-spot_img
3.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Një kauzë, një shembull dhe një lider…

Kryesoret

Heqja e imunitetit parlamentar kreut të Foltores nuk do të thotë se edhe më tej ai, Berisha, nuk do të jetë në drejtimin e saj. Natyrisht, nuk do të ketë fatin e ish kryeministrit Nano, të cilin e burgosi përmes ish kryeprokurorit që është sot mbrojtësi i tij historia ka edhe shembull të tillë tragjik dhe komik në të njëjtën kohë, pasi vetë mosha e tij nuk e lejon këtë, por, edhe nga një shkak edhe më madhor:

Nëse Fatos Nano dihej nga të gjithë se po burgosej pikërisht në kohën kur opozita e majtë po merrte veten dhe partia e drejtuar nga ai po dilte me qerthulli i dogmës së djeshme, me Berishën është e kundërta, ai është politikisht në rënie të vazhdueshme, i sanksionuar nga shtetet anglo – saksone, i braktisur nga shumë prej dishepujve të tij, pa aureorën që mund të kishte deri në marsin e vitit 1992, dhe, mbi të gjitha, i dëshmuar familjarisht në korrupsion madhor.

Nano mund të dënohej sa herë që të donte shefi i presidencës, që kishte në duar gjithçka dhe, me këmbëngulje të pazakontë, mori mbi vete të gjitha atributet që i joshte monizmi, për të qenë njëri nga bllokistët e djeshëm nën petkun e demokratit të djathtë.

Sidoqoftë, pavarësisht nga fati personal i Berishës dhe i familjes së tij biologjike apo politike, opozita duhet të ringrihet. Për shumë vite ajo ka qenë në rënie, nga lakmia brenda vetes, nga etja e pushtetit, dëshira e pasurimit, rreshtimi i mediokritetit, dhe në fund, nga dora e pa kursyer që iu dha nga shefi i qeverisë.

Kjo e fundit është e natyrshme në të gjitha qeveritë autoritare, askush nuk do pranë vetes, e më shumë përballë vetes, një opozitë të mençur, të fuqishme dhe me bindje të qëndrueshme drejt së djathtës. As shefi i tanishëm i qeverisë nuk do e donte këtë, dhe, pasi kreu punë me partizën e Ilir Metës, që është asfksuar në një vilë të Gjirit të lalzit,  iu përvesh të tjerëve.

Fati i opozitës varet nga vetë ajo. Nga katarsisi i saj. Nga fuqia për të mposhtur veten. Për të gjetur rrugën që është më e vështirë, por e domosdoshme. Për të hequr nga vetja atë që e ka sunduar gjithmonë, adhurimi i liderit deri në kufijtë e marrëzisë.

Për të rigjetur veten, opozitës i duhen tri gjëra madhore: një kauzë, një shembull dhe një lider. Deri tani ka hedhur para vetes, në këmbët e politikës dhjetëra kauza, por asnjëra e saktë dhe e qëndrueshme; ka sjellë shembuj të ndryshëm, por asnjëri i besueshëm, ka rendur pas një lideri, i cili, qoftë në hije, qoftë në veten e parë, nuk ia ka vlejtur, nuk ka gjetur atë që është e domosdoshme në politikë. Artin e tërheqjes kur gjërat bëhen të pamundura.

Nga luajalizmi shumë vetë në opozitë mbrojnë një çështje që edhe vetë e dinë se nuk është e drejtë. Një pjesë, mishëruar pas Bardhit, duan edhe të jenë pjesës e dasmës, por edhe të mos quhen dasmorë. Një pjesë tjetër, veshur pas Bashës, duan të jenë dasmorë, por të mos marrin pjesë në dasëm.

Pjesa më e madhe, e mbështetur te figura e Berishës, megjithë meskinitetin që i mishëron në një shumicë dërmuese, janë më të sinqertë, pasi, megjithë kauzën e gabuar, luftojnë , edhe pse marrëzisht, për njeriun të cilit i janë përkushtuar, nuk e fshehin veten, përleshen, sepse janë mësuar të jenë të tillë, nuk mendojnë pasi e dinë se mendimi i shefit është edhe mendimi i tyre; dhe, një pakicë e vogël, është e gatshme të devijojë, si rasti i Topallit që krijoi një partizë, më tepër e mbështetur nga qeveria se nga forca e ideve të saj, por që kthehen shpejt në folenë ku kishin të mirat e bollshme.

Opozitës i duhet kauza e saj. Thirrja e tanishme… O tani, o kurrë nuk është as kauzë, as ide, as vizion. Është një thirrje e çastit, më tepër si shenjë rebelimi të përkohshëm, se sa ngjitje drejt një mendimi të ri. Është më shumë thirrje për të mbrojtur liderin e tyre, që mund të kalojë në gjendje arresti, se sa për të gjetur veten në një situatë tjetër.

Një forcë politike, në opozitë, dhe, mjerisht, pa kauzën e saj politike, e ka të vështirë, në mos të pamundur, të rikthehet në pushtet. Më thirrje delirante askush nuk mund të jetë i besueshëm për atë pjesë të elektoratit gri, që ka forcën e pushtetit në një ditë të vetme. Të asaj të votës.

Kjo nuk ndodh vetëm sot. Thuajse të gjitha thirjet e bëra në vite nga opozita e tanishme , më shumë kanë qenë spontane, pa ide dhe nxitje, se sa të menduara. Duke filluar që nga çeku i bardhë, ne qeverisim, bota na ndihmon, të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajtës, ideja e prapshtë e nisjes nga pika zero, që shkatërroi gjithçka të dobishme, deri në thirrjet e sotme, kanë qenë shterpë, nuk kanë ngjallur besim dhe nuk kanë pasur të ardhme.

Ata kanë qenë ide të një njeriu të vetëm, që ka menduar si dikur Enver Hoxha, që, është i mjaftueshëm mendimi i tij dhe nuk duhet asgjë tjetër, dhe, për fat të keq, kjo vazhdon të jetë edhe tani.

Pa kauzë humbet.

Në jetën e saj politike opozitës i ka munguar shembulli. Asaj i duhet shembulli i së mirës dhe i të domosdoshmes. Nëse i ka munguar dhe nuk është edhe sot e kësaj dite, kjo do të thotë se burimi ka qenë i mangët. Edhe një herë që synuan të kishin një shembull, të ndjerin Azem Hajdari, që e kishin quajtur jo shumë vite më parë bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, apo njeriu që qëndron pas vrasjeve të 2 prillit në Shkodër, kur e vranë në një pritë të paralajmëruar dhe të mirëditur, me arkmortin e tij deshën të krijonin shembullin.

Në fakt ishte shëmtimi i shembullit. Arkmorti i të ndjerit, që përplasej në dyert e kryeministrisë, u braktis në mesin e shkallëve sapo turma hyri për të plaçkitur në godinën e braktisur nga qeveritarët. Edhe sjellja e tanishme, me karrige që hidhen në sallën e parlamentit, flakadanë, zjarre, përkeshje, kalime nga dritaret apo tunelet, çjerrje, kërcinime për zvarritje, ashtu si u zvarritën etërit e shefit të qeverisë!!!, nuk janë shembuj. Në fakt, përbëjnë antishembullin e mendimit.

Opozita kishte rastin e artë të bënte një ditë pushim nga sherret e saj. Në ditën kur do të diskutohej projekt buxheti i vitit 2024. Ajo duhej të krijonte shembullin e opozitës që mendon, që sjell fakte, që ka mendim të emancipuar, që dëshmon dhe gjen zgjidhje. Është seanca ndoshta më e rëndësishme e një viti, por në vend të saj, si të ishin porositur nga kundërshtarët e tyre, bënë sherre, u budallepsën, heshtën, ndërsa projektbuxheti kalonte si në gjalpë.

Në 33 vite ai, nëse do të kishte menduar për të ardhmen, do të kishte pranë vetes disa figura të reja, që mund të ishin të denjë për një politikë ndryshe, bashkuese dhe jo ndarëse, të mendimit dhe jo të çjerrjes. Në 33 vite ai e ka humbur cilësinë pa të cilën nuk mund të drejtohet, ndjenjën e së mundshmes.

Opozita do të rrijë edhe pak kohë në hyqmin e tij. E ka zgjedhur vetë këtë rrugë. Figurat e reja që janë afruar në vite i kanë ngjarë atij, ndryshe nuk mund të bëje karrierë. Ndonjë i pakët ka qenë i vendosur në mbrojtjen e dinjitetit të tij, që, edhe kur ka qenë partia e tij në pushtet, ka votuar kundër, në çastin kur e ka parë të drejtë se ashtu duhej të ndodhte.

Berisha është gojëtar i furishëm, njeri që beson lehtë dhe hakmarrës, i lexuar, por nga ata burra që ditën ta tërhiqnin popullin me fjalë për ta çuar drejt greminës edhe sot e kësaj dite, djalli i kryengritjes merr shpesh pamjen e engjëllit të reformës.

Nëse vazhdon kështu, Edi Rama mund të qeverisë lehtësisht, deri në ditën që përfundimisht do të lodhet nga pushteti. Dhe të ik vetë./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit