Një operacion i policisë spanjolle, ka goditur një grup kriminal të kultivimit të kanabisit në zonën e Castellón dhe Valencias, duke vënë në pranga shtatë shqiptarë dhe duke marrë nën hetim një tjetër, nga mosha 30 deri në 43-vjeç.
Mësohet se nga hetimet e policisë, bëhej fjalë për një plantacion kanabisi “GUERRILLA”, i cili ishte ngritur në vende të thella malore.
Për ta mirëmbajtur dhe zhvilluar plantacionin, shqiptarët përdornin pompa motorike me të cilat nxirrnin ujin nga një burim pranë plantacioneve, i cili më pas kanalizohej dhe çohej në zonën më të lartë të plantacionit, duke përdorur zorrë, e më pas mbushnin pellgjet që ishin ndërtuar më parë për këtë aktivitet.
Policia zbuloi se në këto plantacione kultivoheshin 2000 deri në 3000 bimë kanabisi. Shqiptarët që ishin përgjegjës për kultivimin dhe ruajtjen kishin bërë kampe në të cilat jetonin me tenda, pellgje uji dhe një dhomë ngrënie për të qenë në gjendje të kujdeseshin dhe të monitoronin plantacionin.
Përveç kësaj, ata kishin instaluar tregues volumetrikë në të gjithë plantacionin për t’u alarmuar për praninë e palëve të treta.