Mesditën e sotme në media qarkulloi një lajm që kryetari në detyrë i bashkisë Himarë, Jorgo Goro ka dorëzuar dorëheqjen pranë Prefektit të Vlorës, Flamur Mamaj.
“5Pyetjet.al” kontaktoi zotin Mamaj, i cili e mohoi. “Lajmi nuk është i vërtetë. Nuk e ka dorëzuar dorëheqjen” tha ai në një bisedë të shkurtër telefonike.
Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se zgjidhja për të kaluar ngërçin në bashkinë e Himarës për momentin është largimi i kryetarit në detyrë, Goro, i cili humbi në 14 Maj.
Kjo lëvizje do të thotë se bashkia do të drejtohet nga një administrator që do të caktohet nga qeveria ose njëri nga dy n/kryetarët deri në vendimin e formës së prerë të gjykatës për Fredin Belerin.
Nëse do të shpallet i pafajshëm Beleri do të betohet, në të kundërt humbet mandatin dhe Himara shkon në zgjedhje të parakohshme.