Partia Demokratike e Kosovës, i kërkoi të martën Gjykatës Kushtetuese vlerësimin e Ligjit për Fondin Sovran, një entitet aksionar që do të menaxhojë pronat shtetërore.
Ligji i cili u miratua me 15 dhjetor në parlamentin e Kosovës, parasheh që Fondi Sovran të menaxhojë ndërmarrjet publike dhe ato shoqërore, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia e Privatizimit.
Në mesin e këtyre ndërmarrjeve janë edhe Korporata Energjetike e Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati metalurgjik Trepça, hekurudhat e Kosovës etj.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka vlerësuar Fondin Sovran si projektin më të madh ekonomik i cili sipas tij do të rrisë mundësinë e investimeve dhe do të përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre.
“Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare”, ka theksuar kryeministri Kurti pas miratimit – kishte thënë Kurti.
Por, opozita nuk është pajtuar me ligjin duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij. Pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, Ferat Shala nga Partia Demokratike e cilësoi ligjin diskriminues dhe në kundërshtim me parimin e ekonomisë së tregut të lirë.
“Qeveria po orvatet të vendosë një superstrukturë menaxhuese për të krijuar pabarazi dhe për të hapur linja të tjera të kontrollit mbi këto asete”, tha zoti Shala./VOA
Artikulli i plotë këtu.