Ditën e sotme jepet vendimi për ish-kryeministrin Sali Berisha, për të cili SPAK ka kërkuar një masë më të fortë sigurie, atë të arrestit.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të vendosë mbi fatin e deputetit Berisha, ndërkohë që seanca e sotme në GJKKO do të mbahet me dyer të mbyllura.
Ish-kryeministri po hetohet nën dyshimet për korrupsion në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Kuvendi i hapi rrugën SPAK për arrestimin e deputetit Sali Berisha, si masë shtrënguese ndaj tij, pasi më herët, ish-kryeministri refuzoi të zbatonte vendimin e gjykatës së posaçme, që kishte caktuar masën e detyrimit për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Berisha e kundërshtoi vendimin e parë të detyrim paraqitjes, duke e konsideruar si antikushtetues. Në opinion juridik dhe kushtetues të Berishës, masa fillestare në ngarkim të tij nuk mund të zbatohej, pasi SPAK nuk kishte marrë më parë autorizim nga Kuvend.
SPAK iu drejtua Gjykatës së Posaçme ku i qëndroi mendimit se masa për detyrim paraqitje ishte e një karakteri që konsiderohen kufizim dhe jo heqje lirie.