Natën e ndërrimit të viteve në Tiranë u plagos nga një plumb qorr një grua italiane 52-vjeçe. “Sky TG24” shkruan se ajo kërkon ndihmë për t’u transferuar në Bari, por procedurat për t’iu nënshtruar një operacioni delikat në Poliklinikën e Barit, janë komplekse dhe transferimi me avion kushton 15 mijë euro, sipas artikullit.
“52-vjeçarja, e cila ka pësuar dëmtime në vesh, fyt dhe mushkëri, aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në repartin e Traumës në kryeqytetin shqiptar dhe pret të riatdhesohet në Itali për t’iu nënshtruar një operacioni delikat urgjent. Megjithatë, procedurat e transferimit janë të shtrenjta dhe komplekse.
“Ne jemi në pritje të konfirmimit për koordinimin e transportit të ambulancës ajrore të zonjës, e cila duhet patjetër t’i nënshtrohet operacionit për heqjen e plumbit në Poliklinikën e Barit brenda një jave”, tha avokati i gruas, Vito Leonardo Candeloro për Sky TG24.
Sipas deklaratave të avokatit, gruas i është mohuar “pa asnjë arsye” mundësia e kryerjes së operacionit në Tiranë. “Transferimi me avion drejt Italisë duhet të bëhet me ndihmën e mjekëve, do të përballohet nga zonja me një kosto prej 15 mijë eurosh, pasi për pagesën nuk kujdeset as shteti italian dhe as ai shqiptar”, më tej ai.
Gruaja ishte me pushime në Tiranë me bashkëshortin e saj për të festuar ardhjen e vitit të ri. “E shtëna fillimisht i preu veshin, më pas e goditi në fyt dhe në fund përfundoi në mushkëri. Zonjës iu refuzua ndihma nga dy patrulla të policisë shqiptare, pavarësisht se i ishte kërkuar nga bashkëshorti i saj. E ka ndihmuar një kalimtar”, shtoi avokati i gruas.
Lutja e gruas! Erdhi për të festuar në Tiranë, plumbi qorr e kapi në vesh, fyt e mushkëri